Nga Mark Leonard
Londër – Periudhat më të frikshme në histori, kanë qenë shpesh interregnums (intervalet) – momentet mes vdekjes së një mbreti dhe ngjitjes në fron të mbretit të ri. Kaosi, lufta, madje edhe sëmundjet mund ta mësyjnë këtë vakum kur, sikurse e vinte në dukje Antonio Gramshi Në “Ditarin e burgut”, “i vjetri është duke vdekur, dhe e riu s’mund të lindë”.
Çorodia dhe konfuzioni i vitit 2016, nuk rivalizon trazirat e periudhës midis dy luftërave botërore, kur shkruante Gramshi, por ato janë me siguri simptomat e një interregnum-i të ri. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, bota u mbajt e bashkuar nga një rend sigurie i monituar nga amerikanët, dhe një rend ligjor i frymëzuar nga evropianët. Megjithatë tashmë të dyja janë rendet janë në shthurrje e sipër, dhe nuk ka dalë ende asnjë asnjë kandidat për t’i zëvendësuar.
Në fakt, në dallim nga 1989-a, kjo nuk është një krizë e një lloji të vetëm sistemi. Vende shumë të ndryshme mes tyre, si Brazili, Kina, Rusia dhe Turqia, po vendosen nën një presion politik dhe ekonomik në rritje. Edhe nëse shmanget makthi i një presidenti si Donald Tramp, që siç duket ka të ngjarë gjithnjë e më shumë që të ndodhë, Shtetet e Bashkuara s’mund të jenë më “polici i botës”.
Fuqi të tilla si Rusia, Irani dhe Kina janë duke kundërshtuar reagimet amerikane në Ukrainë, Siri, dhe Detin e Kinës Jugore. Dhe aleatët amerikanë si Turqia, Arabia Saudite, Polonia, dhe Japonia janë duke projektuar politika të jashtme të pavarura, në kushtet kur Uashingtoni në të ardhmen s’mund dhe nuk do të mbajë barrën e vet të mëparshme. Ndërkohë, kohezioni në rënie brenda Bashkimit Evropian, po minon autoritetin e tij moral në skenën botërore.
Shumë prej institucioneve globale që pasqyrojnë vlerat dhe normat evropiane – nga Organizata Botërore e Tregtisë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, tek Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – gjenden në ngërç. Në rrafshin rajonal, tre elementë kyç të rendit evropian janë duke u minuar: SHBA-ja po kërkon të reduktojë investimet e saj në NATO, BE-ja është duke lënë mënjanë politikën e saj të zgjerimit, dhe kaosi në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, është duke “tallur” Politikën Evropiane të Fqinjësisë.
Rritja e forcave jo-liberale në Rusi dhe Turqi, nënkupton se Brukseli nuk është më i vetmi pol tërheqës në rajon. Akoma më keq, integrimi në BE ka shkuar në kahun e kundërt, me shtetet anëtare që kërkojnë të izolojnë veten nga bota e jashtme, në vend se të përpiqen të eksportojnë vlerat e tyre të përbashkëta. Për pasojë, kërcënimet më të mëdha ndaj tregtisë së lirë dhe shoqërisë së hapur rrjedhin nga burime të brendshme, dhe jo nga armiqtë e jashtëm.
Edhe në Gjermani, vendi që duket të ishte prej një kohe të gjatë i imunizuar ndaj presioneve të tilla, Ministri i Brendshëm flet për ndalimin e burkës (një politikë që do të prekte 300 persona), ndërsa zëvendës-kancelari ka shpallur vdekjen e Traktatit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve të Partneritetit (TTIP) mes BE-së dhe SHBA-së, shumë kohë përpara se sa të ftohej “trupi” i viktimës”.
BE ka dëshmuar gjatë dekadave të fundit, se mund të jetë një forcë e rëndësishme e globalizimit – shkatërrimit të barrierave midis popujve dhe kombeve. Por sot mbijetesa e saj, varet nga plani se si mund të mbrojë qytetarët nga forcat e shumta që ajo ka promovuar. Ruajtja e katër lirive në zemër të projektit evropian – lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në Evropë – do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë e BE-së të, do të kenë politika të besueshme për të mbrojtur më të rrezikuarit në shoqëritë e tyre.
Kjo do të thotë përmirësim i mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, duke kompensuar humbësit e brendshëm nga emigracioni dhe tregtia e lirë, dhe qetësimin e frikërave publike në lidhje me terrorizmin. Rreziku është se shumë nga ato që BE-ja me të drejtë nxiti përgjatë kohërave të mira, mund të shndërrohen në pengesa gjatë interregnum-it aktual. Për shembull, pasja e pasigurive të shuma mbi gjendjen e ardhshme të Evropës dhe botës, diskutimi i zgjerimit, apo TTIP, duken të pakuptimtë – ose edhe më keq, pasi edhe hapja e debateve të tilla çon ujë në mullirin e euroskeptikëve.
Bashkimi Evropian duhet të bëjë dallimin ndërmjet thelbit dhe prioriteteve periferike. Për çështje të tilla, si marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe Turqinë (dhe të këtyre dy vendeve me njëri-tjetrin), shtetet anëtare duhet të bien dakord për një politikë që njeh interesat e të gjitha palëve. Por një fleksibilitet shumë më i madh është i këshillueshëm në fusha të tjera, duke përfshirë angazhimet ndaj rishpërndarjes së refugjatëve dhe rregullave të Eurozonës, ku ngurtësia e tepruar mund të bëjë që uniteti evropian të shpërbëhet.
Përveç parandalimit të një aleance midis Rusisë dhe Ankarasë, Brukseli duhet të rimendojë qëllimet që ka në fqinjësinë e vet. Edhe pse vendet e Ballkanit që janë jashtë BE-së, do të qëndrojnë atje për shumë vite, ato gjenden tashmë në hapësirën evropiane të sigurisë, dhe evropianët duhet të jenë të përgatitur të ndërhyjnë ushtarakisht, nëse përsëriten shpërthimet e dhunës.
Për më tepër, liderët e BE-së duhet të ndjekin një përkufizim më të gjerë të paqes, se sa mungesa e luftës, duke përfshirë edhe stabilitetin politik dhe social, si dhe parandalimin e radikalizmit në Bosnjë dhe Kosovë. Sa për Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Moldavinë, qëllimi duhet të jetë promovimi i qeverive të qëndrueshme dhe të parashikueshme në sjelljet e tyre. Për vitet e ardhshme, BE-ja duhet t’i shohë ato si shtete të pavarura tampon, dhe jo si vende në pritje për t’u anëtarësuar në union.
Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të përcaktohen vijat e kuqe, të cilat BE nuk është e gatshme t’i mbrojë. Në Lindjen e Mesme të trazuar, Brukseli s’mund të shpresojë të jetë aktori kryesor. Por vendet e BE-së s’mund të mbrojnë popullatën e tyre nga destabiliteti, nëse ato mbeten si spektatorë. Veçanërisht në Siri dhe Libi, unioni duhet të luajë një rol më të përbashkët me fuqitë rajonale – si dhe me SHBA dhe Rusinë – për të avancuar proceset politike që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e dhunës, sigurojë ndihmë humanitare, si dhe ndalojë fluksin e mëtejshëm të refugjatëve.
Një nga sfidat kryesore të BE-së, është për
rcaktimi i suksesit në një epokë mbrojtëse. Gjatë kulmit të zgjerimit, qëllimi ishte thellimi i integrimit dhe zgjerimi i ndikimit të saj në të gjithë Evropën. Megjithatë tanimë sukses do të thotë të parandalosh që vendet të largohen nga BE-ja, apo edhe dobësimin e institucioneve të veta. Historia lëviz përmes cikleve.
Intervali midis dy rendeve me gjasë do të përfundojë, dhe një rend i ri do të lindë. E sigurtë është se të mbijetuarit dhe trashëgimtarët e rendit të vjetër, do të shkruajnë rregullat e rendit të ri. Qëllimi i BE-së, i arritshëm vetëm përmes fleksibilitetit dhe guximit, duhet të jetë të mbetet një projekt i qëndrueshëm – dhe në këtë mënyrë të jetë një nga autorët./bota.al
*www.bota.al / Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Playing Defense in Europe