Mitingu përmbyllës i PD- së në Dibër/ Basha: Dibra jo plaçkë e Ramës, mos prekni votat. Jo mashtrimit, jo krimit, jo drogës

0
216

“Ti japim së bashku fund këtu nga Dibra politikës së përçarjes që i shërben një pakice të babëzitur duke plaçkitur dhe robëruar një popull të tërë. Le ti themi së bashku nga Dibra; jo mashtrimit, jo plaçkitjes, jo krimit, jo drogës’’

Kryedemokrati Lulzim Basha, bëri ditën e djeshme nga Dibra, thirrjen e fundit drejtuar qytetarëve për të votuar kandidatin e selisë blu, Sherefedin Shehu.” Zgjedhja juaj është e thjeshtë.Mes të mirës e së keqes, një zgjedhje midis integritetit dhe krimit, një zgjedhje mes njeriut të lirë dhe njeriut të kapur. Ju premtoj një kryebashkiak të ndershëm që do të punojë vetëm për ju siç ka punuar tërë jetën për të mirën publike. Një kryebashkiak që nuk do të jetë peng as i grupeve kriminale, as i biznesmenëve të pangopur. Sherefedin Shehu ka shërbyer në shtet dhe ka një jetë faqebardhë. Nuk ka për ta nxirë faqen tani që po i zbardhen flokët. Thinjat e tij janë jo vetëm garancia e ndershmërisë dhe pjekurisë por edhe dashurisë dhe përkushtimit për ju dhe Dibrën,” – deklaroi kreu i PD – së.  Në mitingun përmbyllës së fushatës në Dibër, ku ishin të pranishëm gjithë aleatët e opozitës, lideri i të djathëtve, bëri një panoramë të gjendjes së keqe ku është zhytyr vendi, si pasojë e keqqeverisjes.” Kam qenë në këto tre vite në çdo cep të Shqipërisë, në çdo fshat e çdo qytet, kudo është shtuar varfëria dhe shkaku është elita e korruptuar politike që grabit shumicën për t’ia dhënë pakicës.Kudo ka izolim, ka prapambetje, ka vuajtje dhe i vetmi shkak për këtë është korrupsioni dhe keqqeverisja.Anembanë Dibrës dhe Shqipërisë ka papunësi të skajshme, pasiguri për të nesërmen, pamundësi dhimbëse si ato që Sherefedini i përmendi e që i ka prekur dhe ndjerë në çdo takim me dibranët e dibranet në oda, në ara, në kodra, sheshe dhe salla,” – tha kryeopozitari.

Qëndrimi

Nga Peshkopia, dy ditë para zgjedhjeve, shefi i selisë blu dha një mesazh për kryeministrin Rama dhe njerzit e tij. Ai bëri apel që mos të preket asnjë votë e vetme, ndërsa deklaroi se Dibra nuk do të jetë kurrë plaçkë e  kreu të qeverisë. “Kam një mesazh për çakejtë dhe orlat e Edi Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos fusni duart në vullnetin e sovranit se do të jetë një përgjegjësi që nuk do tua mbajnë dot gjunjët. Ne opozita, Partia Demokratike, vëzhguesit, njerëzit tanë, jemi të pranishëm kudo. Ne jemi garancia se vota nuk do të preket, se Dibra do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se Dibra është dhe do të jetë e dibranëve dhe jo e trafikantëve, e punës dhe jo e drogës, e dinjitetit dhe jo e nëpërkëmbjes. Dibra është e burrave e grave të saj, e bijëve të saj më të mirë. Nuk ka qënë, nuk është dhe nuk do të jetë e plaçkë e Edi Ramës,” – nënvizoi lideri demokrat. Duke përmbyllur fjalimin e tij, Basha theksoi se është koha për ti thënë jo plaçkitjes, krimit e drogës. “Ndaj dhe ti japim së bashku fund këtu nga Dibra politikës së përçarjes që i shërben një pakice të babëzitur duke plaçkitur dhe robëruar një popull të tërë. Le ti themi së bashku nga Dibra; jo mashtrimit, jo plaçkitjes, jo krimit, jo drogës. Ne do t’i themi ndal këtu, në Dibër. Ndal në emër të Dibrës. Ndal, në emër të çdo shqiptari të ndershëm këtij bashkëpunimi kriminal, kundër lirisë, kundër njerëzve, kundër demokracisë, kundër vlerave,” – u shpreh lideri i të djathtëve.

 

sherua

Shehu: Mbështetja juaj vulos vendimin për të ndërtuar një Dibër të re

Kandidati demokrat për bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, në mbyllje të fushatës së tij, deklaroi para qytetarëve dibranë se mbështetja e tyre, vulos vendimin për të ndërtuar një Dibër të re. Pas qindra takimeve me banorë, tregtarë, të rinj, fermërë të Dibrës, Shehu kërkoi bësimin e tyre ehde njëherë. “Te dashur të rinj dhe të reja Dibrane, që i dhatë energji kësaj fushate dhe ju kthyet dibranëve shpresën se Dibra jonë mund të bëhet ashtu siç e meritojmë ne.Mbështetja juaj ketu në këtë sallë dhe e gjithë dibranëve kudo që ndodhen, vulos sot vendimin për të filluar së bashku punën për të ndërtuar një Dibër të re e të begatë, një Diber qe të na rrisë krenarinë tonë.Nga Lura në Selishte dhe nga Kalaja e Dodës në Maqellarë kam prekur dhe parë një bashkim të madh. Burrat, gratë, djemtë dhe vajzat e Dibrës kanë dëshmuar se më parë se të jenë anëtarë të partive politike ata janë Dibranë dhe se për ne Dibra është më dashur se Partia dhe interesi ynë personal. Për të gjithë ne, Dibra është e para, dhe ne na bashkon ndryshimi i Dibres,” – tha ai. Kandidati i djathtë përsëriti premtimet dhe programin e tij,në funksion të zhvillimit të Dibrës. “Në Bashkinë tonë, ndihma ekonomike nuk do të jetë një mjet presioni dhe favoresh. Ajo do të jetë transparente dhe do të shkojë tek të gjithë ata që kanë nevojë, pavarësisht ngjyrës politike. Asnje familje në Bashkine e Dibrës nuk do te kërcënohet me bukën e gojës, dhe do të garantohet furnizimi i domozdoshëm me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.Ne së bashku do të punojmë për një Dibër të zhvilluar. Sic e premtova në hapjen e fushatës, tarifat e Bashkise do të jenë zero dhe taksat do të ulen në nivelin minimal që e lejon ligji. Bashkia do të jetë orientuesi dhe ndermjetësuesi i fermerëve dhe bizneseve të mëdha këtu, në Tiranë, Durrës e kudo që të garantohet tregu për shitjen e prodhimeve të tyre. Por më e rëndësishme është rritja e punësimit,” – u shpreh Shehu.

 

Fjala e aleatëve në mitingun përmbyllës të PD – së, Ndoka i bashkohet opozitës

Gati një vit pas largimit nga demokratët dhe pozicionimit në rradhët e mazhorancës, Nard Ndoka iu bashkua sërish të djathtëve në mitingun përmbyllës të fushatës në Dibër. Kreu i PDK – së, mori fjalën i pari. Duke vlerësuar mencurinë e dibranëve, ai shprehu bindjen se vota e tyre do të jetë për Sherefedin Shehun.” Mendja lindi në Shkodër, por pushoi në Dibër”, deklaroi Ndoka. Më pas në foltoren blu, u ngjit kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili u shpreh se tashmë kanë ngelur dy punë për tu bërë.”Të dielën në kemi dy punë për të bërë: E para, që do të çojmë në zyrën e bashkisë z.Sherefedin Shehu, për të mirën tuaj, për zgjidhur çështjen publike, shërbimet për qytetarët dhe kemi një punë të dytë, ndoshta më të madhe sesa kjo, që j’i japim një sinjal opozitës shqiptare – se opozitë është kjo –  se po i mbarohen ditët,” – tha Shehi. Ndërkohë, kryetari i Aleancës Kuq e Zi, gjatë fjalës së mbajtur, tregoi një rast të tentativës për blerje vote nga kampi kundërshtar. “Një dibran më tha: O Kreshnik, po na afrojnë nga 50 euro! – “Jo, – i thashë, – e kanë pazarin 200 euro, po ju merruni nga 300 euro dhe i paçi hallall, se janë paratë tuaja,” – nënvizoi ai. Në fjalën e tij, Kreu i Partisë Agrare Ambjetaliste, Agron Duka, theksoi se gjithë Shqipëria i ka sytë nga Dibra. “E gjithë Shqipëria i ka sytë tek zgjedhjet e Dibrës. Pushteti vendor kërkon menaxherë të aftë. Do të hezitoja të isha këtu nëse kandidati ynë do të ishte tek e majta,” – tha Duka. Në mitingun përmbyllës, mori fjalën edhe kryetari I Partisë Republikane, I cili u bëri thirrje dibranëve mos të bëhen bujrobër të krimit dhe kanabisit. “Ne sot do të zgjedhim a do të bëhemi bujkrobër të arave të krimit dhe kanabisit apo do të bëhemi njerëz të punës dhe mençurisë,” – deklaroi Mediu, nga Peshkopia.