Një ditë para votimit, partitë ndryshojnë gati të gjithë komisionerët e KQV-ve në Dibër

0
208

Një ditë para votimit, partitë ndryshojnë komisionerët e 116 KQV nga 118 gjithsej

Përmes një deklarate për median Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se para fillimit të shpërndarjes së bazës materiale nga KZAZ nr. 19 për çdo QV, partitë politike kanë kërkuar ndryshimin e anëtarësisë së 116 Komisioneve të Qëndrave të Votimit nga 118 KQV në total.

“Pra vetëm pak para fillimit të shpërndarjes së matërialeve zgjedhore, KZAZ me kërkesë të partive politike për ndryshim të anëtarësisë së KQV-ve, ka marrë 116 vendime për lirimin e anëtarëve të emëruar më parë dhe emërimin e anëtarëve të rinj. Ndryshimi i 98.3% % e anëtarësisë së Komisioneve të Qendrave të Votimit, bën që edhe ata pak komisionerë të trajnuar nga KQZ, të mos jenë pjesë e procesit zgjedhor”

Në këto kushte KQZ po merr të gjitha masat që përmes instepktorëve të KQZ-së që janë prezent pranë KZAZ-së nr. 19, Dibër, komisionerët të trajnohen para marrjes në dorëzim të bazës materiale zgjedhore për Qendrat e Votimit.