Kaosi dhe konfuzioni që është krijuar me pranimet e maturantëve në universitet sipas shoqatave të arsimit është përgjegjësi direkte e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Përfaqësues të Sindikatës së Arsimit thonë se ligji i ri për arsimin e lartë ka krijuar shumë konfuzion, ndërsa hedhin dyshime se shumë prej maturantëve do të ngelin pa arsim të lartë. Nevruz Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri, thotë se qeveria mashtron me kuotat e lira, që sipas saj janë 25 mijë për 27 mijë maturantë aplikues. Kaptelli thotë se brenda këtyre kuotave përfshihen edhe vendet e lira në universitete private. Ndërkohë, në një reagim për gazetën “SOT”, ai thotë se ligji i ri për arsimin të bëhej i aplikueshëm pas tre vitesh, në mënyrë që maturantët të ishin të qartë dhe të sigurt për mundësitë e tyre për të vijuar studimet në arsimin e lartë. “Përgjegjësia është e Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, e cila futi në zbatim ligjin e ri të arsimit të lartë në kushte të cilat ishin të dëmshme për maturantët dhe e gjithë kjo rrëmujë, ky ngërç i krijuar është pasojë e zbatimit para kohe të këtij ligji”, tha Kaptelli. Ai shtoi edhe faktin se shumë lëndë nuk kanë qenë pjesë e lëndëve të mësuara në gjimnaze. “Atyre këto ndryshime iu bënë të njohura në shkurt dhe mars. Çfarë mund të bënin ata ku çdo gjë kishte marrë fund, ku lëndë si Filozofia dhe Sociologjia nuk ishin fare në shkolla as tek “Qemal Stafa”, as tek “Petro Nini Luarasi” dhe as në shumë shkolla të tjera. Kështu që e gjithë përgjegjësia qëndron tek Ministria e Arsimit. A rregullohet ky problem tani? Thjeshtë fare: Të gjitha ata që kanë fituar të drejtën e studimit duhet të regjistrohen automatikisht në degët që ata kanë patur më të preferuar”, theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri.
Kuotat e lira
Krerët e shoqatave të arsimit kanë shprehur dyshime lidhur me shifrën e deklaruar nga zyrtarët për kuotat e lira. Nevruz Kaptelli thotë se shifra prej 25 mijë kuotash të lira përfshin edhe vendet në universitetet private. Kjo shifër është deklaruar nga kryeministri Rama, ndërsa Kaptelli shprehet se shumë maturantë do të ngelin pa arsimin e lartë për shkak të mundësive financiare për të përballur shkollimin në privat. “Nëse do të vazhdojmë me kokëfortësinë që i kamë dëgjuar në komentet në media, dyshoj se shumë maturantë do të ngelen pa shkollë, pasi nuk është zgjidhje ajo që thotë kryeministri se janë 25 mijë kuota për 27 mijë kërkesa, sepse në këto ai i ka futur edhe kuotat e privatit. Pyetja është a do të kenë mundësi të gjithë që të shkojnë në universitete private? Shumë prej maturantëve nuk i kanë kushtet për të vijuar studimet tek privati. Shteti duhet të përgjigjet për pjesën e vetë”, thotë ai. Ndërsa kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit, Xhafer Dobrushi, shprehet se situata do të qartësohet pas datës 20 shtator dhe nëse nuk ndodh siç ka thënë zyrtarët përgjegjës, do të ketë shumë spekulime për qëllime të mbrapshta të ligjit. “Kërkesat e studentëve protestues janë të drejta, dhe shqetësimi i tyre duhet trajtuar jo vetëm si një ankesë personale, individuale, por si një problem që lidhet me sistemin arsimor, me ligjin përkatës që rregullon këtë sistem. Duket qartë se ligji i arsimit të lartë i miratuar vitin e kaluar tani është në provë. Rezultatet përfundimtare të aplikimit të maturantëve, që siç thuhet do të dalin pas datës 20 shtator, do të provojnë se sistemi i miratuar me këtë ligj, garanton barazi, drejtësi dhe transparencë në konkurrim ose jo, do të shihet nëse ky sistem garanton që arsimi i lartë publik e fitojnë ata maturantë që realisht e meritojnë. Nëse jo, atëherë krijohen dyshime serioze për spekulime anti-ligjore dhe fenomeni duhet analizuar e zgjidhur jo si shumë e ankesave individuale të disa maturantëve por si problem jetik që lidhet me arsimin e brezave dhe të ardhmen e vendit”, tha Dobrushi.