Dëshmitarët, si e rrahën biznesmenin Mitri me shkop bejsbolli

0
293

Një biznesmen me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze është masakruar dje me shkop bejsbolli në rrugën e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit në Tiranë.

Bëhet fjalë për 55-vjeçarin Fadi Mitri, i cili po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit me automjetin tip “Mitsubishi”, që drejtohej nga shoferi i tij shqiptar, me iniciale E.M., kur është përplasur qëllimisht nga një automjet tjetër. Mitri është administrator i kompanisë nga Katari, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Edhe sulmi i djeshëm ndaj tij dyshohet paraprakisht se ka lidhje pikërisht me këtë investim që do të kryhet.

DESHMITARET

Kanë qenë dëshmitarët ata që kanë lajmëruar fillimisht Policinë, duke thënë se kishte ndodhur një aksident automobilistik. Por dëshmi të tjera, të mbërritura në sallën operative, flisnin për një arje më të rëndë sesa aksidentale. Persona të ndryshëm, që kanë kaluar me makina pranë vendit të ngjarjes, kanë deklaruar se mes personave që ndodheshin në dy mjetet e përplasura, kishte ndodhur edhe një përleshje fizike. Ndërsa të tjerë flisnin për persona të gjakosur në anë të rrugës, që kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Megjithatë, askush nuk ka dhënë dëshmi të qarta rreth autorëve që shkaktuan ngjarjen, por vetëm për mjetin me të cilin ata janë larguar./panorama