Sesioni i 66-të i Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Beqaj: Progres në gjithë kolonat e sistemit të shëndetësor

0
141

Një delegacion i Ministrisë së Shëndetësisë, i drejtuar nga ministri Ilir Beqaj, mori pjesë në sesionin e 66-të të Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, që po mbahet në Kopenhagen nga 12 deri më 15 shtator.

Përfaqësues nga 53 vende të Rajonit Europian të OBSH-së po debatojnë mbi një grup planesh inovative veprimi me ndikim në shëndetin publik në rajon e më gjerë, të cilat bëjnë thirrje për veprim më të përshpejtuar dhe angazhim më të fortë politik lidhur me shëndetin e refugjatëve dhe emigrantëve, shëndetin e grave, shëndetin seksual dhe atë riprodhues, sëmundjet jongjitëse, HIV/AIDS-in, hepatitin viral, shërbimet e integruara shëndetësore dhe përdorimin e informacionit dhe të dhënave në shëndetin publik.

“Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar për vendosjen e sistemit të kujdesit shëndetësor me Mbulim Universal, si rruga e vetme drejt një sistemi shëndetësor që redukton pabarazitë, mbron nga rreziqet financiare dhe njëherësh, është i përballueshëm nga shoqëria jonë”, tha ministri Beqaj në fjalën e tij drejtuar Sesionit, duke theksuar “se kjo qasje është në të njëjtën linjë me nismën e politikës evropiane “Shëndet 2020” dhe axhjendën e objektivave globalë të zhvillimit të qëndrueshëm 2030”.

Për kreun e shëndetësisë, fjala kyçe në sistemet evropiane të kujdesit shëndetësor mbetet “Mbulimi Universal”, i cili duhet të shoqërohet edhe me cilësi dhe akses universal.

Sipas tij, në tre vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar progres në të gjitha kolonat e zhvillimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

“Shpenzimet out-of-packet kanë shënuar një ulje prej 8%, duke rënë nga 53% në 45% të totalit të shpenzimeve,” tha Beqaj, duke nënvizuar se “më tepër se gjysma e shpenzimeve janë të financuara nga para publike”.

Gjithashtu, një çështje tjetër e rëndësishme e rendit të ditës të këtij sesioni është edhe Programi i Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së dhe zbatimi i tij në Zyrën Rajonale të OBSH-së për Evropën, si dhe ecuria e punës për platformën kuadër “Shëndet 2020” të politikës rajonale për shëndetin dhe mirëqenien, si dhe lidhjet e saj me Axhendën 2030 të miratuar rishtazi për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe objektivat e saj globale.

Rreth 300 delegatë nga Shtetet Anëtare në rajon, përfshirë edhe një numër të madh të ministrave të shëndetësisë, marrin pjesë në këtë Sesion, i cili u përshëndet edhe Madhëria e Saj Princesha Mary e Kurorës së Danimarkës dhe Drejtorja e Përgjithshme e OBSH-së Dr. Margaret Chan.