Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në fund të tremujorit të dytë të këtij viti arriti në 7.88 miliardë euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm u rrit me 2.7% ose rreth 210 milionë euro që nga fillimi i vitit. Vetëm gjatë tremujorit të dytë, borxhi u rrit me 91 milionë euro. Rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë për këtë tremujor ishte e shpërndarë në mënyrë pothuajse të barabartë mes sektorit publik dhe atij privat. Borxhi i jashtëm i qeverisë shqiptare u zgjerua më tej në shumën e 3.36 miliardë euro, me një rritje prej 43 milionë eurosh për tremujorin. Që nga fillimi i vitit, borxhi i jashtëm i qeverisë shqiptare u rrit me 2.1%. Një rritje relativisht të lehtë regjistroi edhe borxhi i jashtëm i sektorit privat. Borxhi i shoqërive tregtare ndaj subjekteve jorezidente arriti në 1.3 miliardë euro, në rritje me 11 milionë euro për tre muaj. Ndërkohë, vijoi rritja e borxheve që kompanitë e huaja kanë ndaj aksionerëve të tyre, që për tremujorin u rritën me 39 milionë eurove. Vlerësohet se huatë për investime direkte arritën në afro 1.85 miliardë euro, në rritje me 4.5% që nga fillimi i vitit. Për sa i takon sistemit bankar, vlera e detyrimeve të jashtme regjistroi një rritje të lehtë në vlerën e 1.3 miliardë eurove, me një rritje prej vetëm tetë milionë eurosh në tre muaj. Në kushtet e bollëkut të likuiditetit nga depozitat e publikut dhe të një kërkese të dobët për kredi, bankat nuk kanë shumë nevojë të kërkojnë burime financimi shtesë, përmes huave të jashtme.