Lezhë/ Vrau 15-vjeçarin gjatë operacionit, gjykata lë në burg ish-shefin e antiterrorit

0
250

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi ditën e djeshme vendimin e Gjykatës së Lezhës, e cila dënoi me 5 vjet burg ish-Shefin e Antiterrorrit të Lezhës, Skënder Seferi. Ai akuzohet për vrasjen e 15-vjeçarit Armando Skandaj, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2010 në Lezhë.

Vdekja e 15-vjeçarit ndodhi në Urën e Cenit, në Lezhë. Armando Skandaj ndodhej në një makinë me targa të Tiranës, në timonin e së cilës ishte i vëllai më i madh, Arditi, si dhe një shoku i tij, Flori Nikolli. Sipas njoftimit të policisë në atë kohë, u deklarua se Ardit Skandaj, bashkë me Nikollin dhe një person të tretë ishin të dyshuar si autorët e grabitjes së tre shtetasve malazezë, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë para. Në variantin e nxjerrë në atë kohë, policia ka shkëmbyer zjarr me të rinjtë që refuzuan të ndalonin. “Efektivët qëlluan në gomat e makinës, por një plumb ka bërë rikoshet duke vrarë pasagjerin në pjesën e pasme, pikërisht 15- vjeçarin Ardit Skandaj”, ishte varianti i policisë. Nga hetimet e mëtejshme, të kryera pas këmbënguljes së familjes së viktimës, ekspertiza nxori përfundimin se një plumb ishte qëlluar në xhamin e pasmë, duke i marrë jetën adoleshentit. Hetimet u rihapën për çështjen dy vite më parë, duke u vënë para akuzës efektivi i policisë që ishte në aksion në atë kohë, Skënder Seferi.

 

Ngjarja në vitin 2010

Ngjarje e rëndë ka ndodhur në vitin 2010 në kohën kur viktima ishte 15 vjeç dhe ndodhej në automjetin e të vëllait, gjatë një operacioni përmes të cilit policia tentoi ta kapte, por që u vetë dorëzua. Djali në atë kohë u gjend në pjesën e pasme të makinës dhe humbi jetën aty. Ngjarja ka ndodhur me 17 korrik të 2010-ës në “Urën e Cenit” në Lezhë, ndërsa Ardit Skanda ka udhëtuar me vëllain e pajetë në mjet mbi 6 kilometra për t`i shpëtuar policisë. Në momentin që e kuptoi se vëllai më i vogël kishte humbur jetën, ai ka lënë makinën në rrugë bashkë me trupin e pajetë të vëllait në fshatin Balldre dhe pasi ka kaluar lumin është dorëzuar. Ardit Skandaj pati dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me ngjarjen fatale ku humbi jetën vëllai i tij vetëm 15 vjeç, por prokuroria i mbylli hetimet për vrasjen e të miturit.