Tapitë tani tek ALUIZNI/ Ndryshon procedura për legalizimin e ndërtimeve pa leje

0
274

Certifikatat e pronësisë, nga e hëna jo më në hipoteka por  do të shkohet  të merret tek ALUIZNI

 

Sejrie Baleta

 

Nga e hëna, qytetarëve që legalizojnë banesat nuk do t’u duhet të aplikojnë më pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive për të marrë certifikatën e pronësisë. Këtë proces do ta kryejnë vetë drejtoritë e ALUZINIT. “Na u deshën disa muaj për të ndryshuar dhe përshtatur procedurat ligjore. Unifikuam sistemet e operimit për të mundësuar shkëmbimin dhe dërgimin e informacionit online me ZRPP”, u shpreh Artan Lame, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNIT.
Ky informacion duhet të trajtohet nga specialistët e ZRPP brenda 10 ditëve. Edhe në rast paqartësie, sqarimet do të kryhen nga ALUIZNI. Kreu i ZRPP thotë se procedura e re do të shmangë kamatëvonesat për ata qytetarë që e tejkalojnë afatin e aplikimit. “Ndodhte që zyrat e ALUIZNIT kishin dhënë leje legalizimi, por qytetarët për mungesë informacioni aplikonin përtej afatit ligjor 30 ditor dhe në këtë moment aplikohej kamatëvonesa”, shprehet Ilirjan Muho, drejtor i Përgjithshëm i ZRPP. Në momentin e përfundimit të procedurës certifikata u dorëzohet qytetarëve me postë nga ZRPP. Sistemi do të testohet me 5000 lejet e legalizimit të muajit shtator. Certifikatat e pronësisë nga kjo e hënë nuk do të merren më tek Hipotekat por tek zyrat e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale. Lajmi është bërë i ditur në një konferencë të përbashkët mes kreut të ALUIZNI-t Artan Lame dhe atij të Hipotekave Ilirjan Muho ku Artan Lame ka thënë se të gjithë qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t që nga kjo e hënë për të tërhequr çertifikatat e pronësisë së objekteve të tyre.
Sipas tij, ky ndryshim ka ardhur për të shmangur burokracitë dhe ecejaket e qytetarëve sa në një zyrë në një tjetër. “Lajme shumë të mira për qytetarët që janë në proces legalizimi të banesave të tyre. Duke filluar nga e hëna të gjithë qytetarët që legalizojnë banesat e tyre nuk do aplikojnë pranë ZRPP-ve për regjistrimin dhe marrjen e certifikatës së pronësisë, këtë proces kompleks do ta kryejnë  drejtoritë përkatëse të Aluizni-t në bashkëpunim me zyrat përkatëse të Hipotekës’ tha Artan Lame.  Kryeregjistruesi, Ilirian Muho, deklaroi se tashmë qytetarët do ta kenë më të thjeshtë që të përfundojnë të gjitha procedurat e kërkuara. “Ndryshimi i bërë kohet e fundit ka dy risi. E para është që për qytetarët tashmë shmanget një sportel. Nëpërmjet këtij ndryshimi nuk është më e nevojshme që qytetarët të paraqiten në zyrat tona për të aplikuar, këtë detyrim e marrin zyrat e ALUIZNI-t. Janë aty përgjegjëse që pas përfundimit të procedurave për dhënien e lejeve të legalizimit kanë të drejtën të aplikojnë online në sistemin tonë. Brenda 10 ditëve specialistët e trajtojnë këtë aplikim. Brenda këtyre ditëve nëse ka nevojë për një sqarim, ky komunikim do të bëhet nga zyrat e ALUIZNI-t. Në momentin e përfundimit të trajtimit, pra kur kërkesa trajtohet pozitivisht atëherë qytetarët duhet të paraqiten në zyrat tona për të aplikuar dhe tërhequr dokumentin e pronësisë. Pra qytetarët do të paraqiten pranë zyrave tonë në momentin e aplikimit dhe atë të tërheqjes së dokumentit të pronësisë”, tha Muho.