Regjisorja Rozi Kostani: Nga ana financiare kemi qenë të kufizuar për të vënë në skenë këtë vepër
Intervistoi: Irini Meçe
Teatri Kombëtar çeli mbrëmë sezonin e ri artistik 2016-2017 me premierën e shfaqjes “Kujtesa e ujit”, nga autorja britanike Shelagh Stephenson. Premiera e shfaqjes “Kujtesa e ujit” që ngirti perdet e Teatrit Kombëtar vjen me regji nga Rozi Kostani, skenë të Laedia Hajdarit, kostumet e Maldrita Ricës, as/regjie Benada Mulla. Aktorët që interpretojnë janë: Rajmonda Bulku, Olta Daku, Violeta Banushi Trebicka, Neritan Liçaj, Jonida Vokshi dhe Marin Orhanasi. Projekti shpërfaq problematika familjare të cilat zbulohen pas humbjes së mamasë, kjo humbje që i risjell në shtëpi tri motrat, duke risjellë njëkohësisht dhe luftën për kujtesat e tyre për të njëjtat ngjarje, por secila ndryshe nga tjetra përpiqet për të gjetur kujtimet individuale. Regjisorja Rozi Kostani ka thënë në një intervistë për gazetën “Standard” që kjo shfaqje vjen me një mesazh shumë të fortë që para se dikush të largohet ne duhet t’i themi më fal apo të dua. Ky mesazh zbërthehet përmes nënës së vdekur dhe tri motrave. Rozi Kostani e njohur si aktore shumë e mirë, e cila ka veshur petkun e plot personazheve komplekse, por edhe si regjisore e cila ka vënë në skenë vepra vërtet të suksesshme ka folur gjithashtu edhe për vështirësitë që është përballur për të sjellë këtë vepër.
Premiera “Kujtesa e ujit” do të vijojë të shfaqet në Teatrin Kombëtar sot, nesër dhe pasnesër në orën 20:00.
Komedia e zezë “Kujtesa e ujit” është premiera që çeli sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar. Ç’mund të thoni më shumë rreth kësaj shfaqje?
Është një komedi e zezë siç e the edhe ti, e shkruar nga autorja britanike Sheila Stefanson,e cila i ka vënë në një rrethanë shumë interesante personazhet. Janë 3 motra që mblidhen në një shtëpi të përmbytur për funeralin e nënës së tyre dhe që shndërrohen në peng të së shkuarës. Ato janë duke u përpjekur për të zgjidhur të tashmen dhe shpeshherë e harrojnë vdekjen e mamasë së tyre dhe merren me problematikat e tyre, me lidhjet e tyre jashtëmartesore, lidhjet e tyre që kanë mbetur pezull dhe nuk kanë funksionuar. Mamaja e tyre është një shpirt që vërtitet brenda kësaj shtëpie, akoma e padalë dhe përpiqet të komunikojë me njërën nga vajzat, e cila është shkëputur shumë më herët se dy të tjerat shpirtërisht jo vetëm fizikisht. Ajo është një vajzë që ka patur një fatkeqësi le të themi sepse që në moshën 14 vjeç ka lindur një fëmijë dhe dhe ky lloj procesi ka bërë që marrëdhënien me mamanë ta ketë më të ndërlikuar se dy vajzat e tjerat. Vajza e madhe e cila luhet nga Olta Daku, është ajo e cila është përpjekur gjatë gjithë kohës që të rregullojë dhe të sistemojë çdo gjë në familje. Kjo është me pak fjalë subjekti. Ndërsa përsa i përket se pse jam ngacmuar unë nga kjo vepër, sepse është një vepër thellësisht njerëzore dhe kjo vepër është vënë në skenë në të gjithë Evropën, në Amerikë, ka patur një përhapje shumë të shpejtë gjithë andej vetëm nga mënyra sesi autorja i ka qasur personazhet në këto lloj rrethana interesante. Autorja në fakt është ngacmuar nga një ngjarje e vërtetë, ato vetë janë tre motra në familje dhe kur ka qënë duke shkruar këtë vepër i ka vdekur mamaja dhe në atë moment vepra e saj ka ndryshuar kahje dhe prandaj është një komedi e zezë. Ajo thoshte se nuk e kuptoja se pse qeshnin njerëzit, sepse unë nuk e kam shkruar për komedi, por e qeshura është pjesë e dramës në fakt. Por kam përshtypjen që këtë shfaqje kanë për ta dashur të gjithë ata që do e shohin dhe do lejë gjurmë, sepse ve në dukje veset e shoqërisë dhe është gjithëpërfshirëse.
Cili është mesazhi që përcjell kjo shfaqje tek publiku?
Mesazhi është që ne duhet ta duam njëri tjetrin kur ata janë gjallë, para se ata të ikin. Kjo vepër është shkruar në vitin 1997, por kjo vepër gjithashtu është bërë dhe filmi dhe titulli i filmit është “Para se ti të largohesh”. Dhe thelbi i kësaj vepre është që para se dikush të largohet ne duhet t’i themi më fal apo të dua.
Pse kjo shfaqje e ka titullin “Kujtesa e ujit”?
Edhe kjo ka një ngacmim nga një studim shkencor mbi kujtesën mbi memorizimin e fakteve dhe emocioneve të forta që ruan uji, ai kristalizon brenda tij qoftë ngjyrën, ndjeshmërinë që jep ngjyra kur futet në ujë, qoftë objektin, formën ,qoftë interferimin që përçohet në ujë. Ky është një studim i vërtetë shkencor dhe autorja e veprës e ka marrë dhe e ka futur këtu sepse këto personazhe kanë një perceptim të çuditshëm mbi emocionet. Njëra nga personazhet kur merr vesh që ka vdekur e ëma nga ngjarja e fortë dhe mënyra se si ajo s’donte që ta besonte, bën seks direkt pas lajmit që merr. Dhe momenti tjetër është kur shkon në spital dhe pasi doktori ia pohon vdekjen e mamasë ajo fillon e qesh sepse shikon që kishte veshur një këpucë ndryshe dhe një ndryshe. Këto janë procese njerëzore që shpjegohen shumë mirë në psikologji, këto janë trauma sesi i përjetojnë ngjarjet. Kështu është e ndërtuar jeta jonë dhe kjo vepër është e bukur sepse kjo vepër nuk gënjen, por thotë shumë të vërteta.
Pse pikërisht një vepër angleze në skenën shqiptare?
Ajo është një vepër universale,e ka kaluar Anglinë sepse vepra flet për procese njerëzore nuk ka lidhje me Anglinë, as për kulturen e saj madje. Unë jam ngacmuar nga kjo vepër sepse problematika që trajton është vërtetë interesante dhe nuk është vetëm një dramë familjare, por përfshihen shumë elementë, familjare, sociale dhe besoj se çdo njeri do e gjejë veten tek secili nga personazhet aty. Unë jam përpjekur që të them se jetët tona janë pezull, ne ndërtojmë marrëdhënie dhe nesër pasnesër shohim që ato marrëdhënie janë në ajër s’kanë rënë në tokë pavarësisht pretendimit tonë për t’i ulur në tokë.Dhe kështu unë kam kërkuar dhe nga skenografia Laedia Hajdari, që ta përmbys shtëpinë sepse do doja që të ngrija çdo gjë në tokë dhe sepse këto pas ikjes së mamasë shtëpinë do vijë ta marrë deti, do mbytet.
Si është realizuar përzgjedhja e aktorëve?
Përzgjedhja e aktorëve është realizuar nga aftësia e tyre. Për shembull mamanë e luan Rajmonda Bulku e cila është e mrekullueshme në skenim, ku rrezaton shumë mirësi dhe dashuri dhe është pikërisht ajo çka doja unë të shikoja tek mamaja. Pastaj kam përzgjedhur Olta Dakun për mënyrën sesi ajo e merr një detaj dhe e përçon dhe ka qënë vërtet kënaqësi që kam punuar me të. Violeta Trebicka është e saktë dhe përpiqet të ndërtojë karakterin dhe pastaj Neritan Liçaj, i cili është shumë i mirë. Jonida Vokshi do të luajë vajzën e vogël Katerinën e cila është personazhi që e shpërthen skenën. Me Jonidën për shembull kam rrezikuar mund të them sepse ajo pothuajse është në hapat e saj në teatër, ky ka qënë një ndër risqet e mija, por tani mund të them se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe vërtetë ka arritur që të bëjë një karakter shumë interesant.
Çdo shfaqje ka vështirësitë e veta dhe problematika në vënien në skenë për herë të parë. Cila ishte vështirësia juaj si regjisore për të vënë në skenë këtë shfaqje?
Vështirësitë në fakt kanë qënë financiare të them të drejtën sepse kemi qënë të kufizuar për të arritur dhe plotësuar imazhet tona. Kjo shfaqje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, e cila ka dhënë një fond minimal për këtë shfaqje ashtu siç jep për të gjitha në fakt. Kjo ka qënë një vështirësi shumë e madhe dhe kemi diskutuar se si mund ta realizojmë skenografinë, kostumin. Gjithsesi duhet të falënderoj disa sponsora që na kanë ndihmuar me shfaqjen, është Digjitalbi i cili na ndihmoi shumë, Ajsbergu, Hidrotek sh.p.k dhe Teatrin gjithashtu duhet ta falenderoj që na hapi derën dhe na krijoi mundësinë.
Por teatri më çfarë vështirësish përballet dhe cila është një problematikat që kërkon zgjedhje?
Vetëm ana financiare sepse po pate anën financiare ti mund zhvillosh edhe teknikën, sepse këtu është problemi të zhvillojmë teknikën sese kemi ngelur vetëm me tavolina dhe karrige në skenë. Duhet të ikim përtej asaj dhe drejt zgjidhjeve më estetike, më të zhvilluara dhe cilësore. Dhe vërtet kërkojmë një teatër cilësor, teknikë më të mirë dhe për të patur teknikë të mirë kërkon para dhe kështu shkon kjo punë zinxhir.
Ju kemi parë në fushën e artit edhe si aktore edhe si regjisore, ku e gjeni ju veten më shumë?
Unë e gjej veten tek të dyja përderisa i bëj dhe më pëlqejnë vërtetë. Si vështirësi pune pastaj janë të ndryshme sepse kur ke rolin e aktores ti je më komode, më i lirë ndërsa kur je regjisor ke shumë gjëra në kurrizin tënd, shumë përgjegjësi sepse të gjithë duan përgjegje nga ty, detyrat janë më të mëdha dhe duhet të jesh më i qartë dhe i qetë pa humbur anën krijuese, e cila kjo është më e rëndësishme.
Cilat janë planet dhe projektet tuaja nëse mund t’i zbulojmë ato?
Unë plane dhe oferta kam shumë, por nuk mundem dot t’i them tamam sepse mund të ndodhin ndryshime. Kam ndërmend që të punoj një komedi tjetër pas një periudhe kohe 3 mujore ndoshta, nuk mund ta them me shumë siguri. Por është një komedi super dhe jam shumë e entuziasmuar. E kam lexuar dhe e kam çuar për ta përkthyer.