Pas akuzave direkte të PD-së, se Tahiri ka lidhje direkte me trafikun e drogës dhe me rastin e fundit, atë të avionit të rënë në Ishëm, drejtuar nga piloti italian, vjen reagimi i ministrisë së Brendshme. Duke deklaruar se hetimi për avionin kishte nisur, ndërkohë që deputeti Noka bëri denoncimin nga Kuvendi, MB ngre disa pyetje që sipas saj presin përgjigje. Për cilën arsye Flamur Noka doli në Kuvend dhe bëri botën me dije për rrëzimin e avionit, një çështje për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria kishin nisur një hetim? Për cilën arsye Flamur Noka bëri publik hetimet mbi avionin?”- thuhet në reagimin e ministrisë.
Akuzat e PD
Pasi denoncoi dje i pari për opinionin publik se në Ishëm kishte rënë një avion, “me drogë” por që deri më tani policia nuk e ka konfirmuar në asnjë moment se ka pasur lëndë narkotike, sot deputeti i PD-së Flamur Noka, akuzon ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se “u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës. Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, ti shpëtojnë ligjit”. Kështu u shpreh në një deklaratë për mediat Noka, ndërsa theksoi se “është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit. Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet”, tha Noka.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme
Nuk ka asgjë të re në deklaratat e Partisë Demokratike dhe të deputetit Flamur Noka. Edhe kjo e sotmja i shtohet tufës së mbi 2.000 deklaratave kundër Ministrit të Punëve të Brendshme për të përbaltur figurën e punën e tij dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në qoftë se Flamur Noka është në rolin e tellallit, atëherë le të tregojë se cili është prokurori që i ka dhënë këtë informacion.
Në qoftë se Flamur Noka është në rolin e dëshmitarit, atëherë le të paraqitet në Prokurori dhe të depozitojë të gjithë të dhënat që ka, në lidhje me këtë ngjarje. Por ka disa pyetje që mbeten ende pa përgjigje: për cilën arsye Flamur Noka doli në Kuvend dhe bëri botën me dije për rrëzimin e avionit, një çështje për të cilën Policia e Shtetit dhe Prokuroria kishin nisur një hetim? Për cilën arsye Flamur Noka bëri publik hetimet mbi avionin? Me këto pyetje, nuk po aludojmë se Flamur Noka ka lajmëruar trafikantët, por janë pyetje që presin përgjigje. Përtej çdo akuze, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të angazhuara maksimalisht në luftën kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit