Vdekja në maternitet, një tragjedi tjetër që zbulon zinxhirin e masakrave në shëndetësi

0
180

Një nënë 35 vjeç, shtatzënë në muajin e nëntë, vdiq sot bashkë me fëmijën që priste të lindte, në maternitetin Koço Gliozheni në Tiranë. Ajo ndërroi jetë për shkaqe ende të papërcaktuara, teksa priste fëmjën e tretë.

Familjarët akuzojnë mjekët për neglizhencë. Nën drejtimin e një prokurori, policia e Tiranës ka nisur të bëjë verifikimet e para.

Hetimi përfshin shkaqet e vdekjes dhe rolin e mjekëve të maternitetit dhe të urgjencës së QSUT.

Për shkaqet pritet të dalin përgjigjet e autopsisë, ndërsa për neglizhencën e mjekëve, akuzat janë të rënda.

Kunati i viktimës tregoi të gjitha peripecitë, një rrëfim ky që ngre akuza të forta për një zinxhir institucionesh shëndetësore.

“Erdhëm nga oran 9.30 (të mbrëmjes) pasi ajo pati komplikacione. E sollëm me urgjencë për 10 minuta ishte në gjendje të rënduar. E zbresim nga makina, shkojnë në urgjencë, urgjenca ishte mbyllur me kyç. Pritëm 20 minuta për t’u hapur urgjenca, e hapi infermieerja, nuk kishte as stol ku të ulej, po e mbanim nga krahët, ajo ishte me të vjella.

Ajo e mori mjeken dhe e sinjalizoi. Vjen mjekja dhe jnë mjek pas gjysmë ore tjetër. E futën brenda. Dhe pasi e pytën ku i dhemb, e nxorrën jashtë. Thanë “është për në QSUT dhe jo për ne. Pa i bërë asnjë lloj analize, e përcollën.

Në QSUT i doli gjithçka në rregull. Na thanë mos ka të ftohur. E nisëm në Sanatorium. Atje doli prapë e pastër, nuk kishte probleme. Nga Sanatoriumi prapë në maternitet, aty mbërritëm në orën 2.00. me ambulancë, me oksigjen.

Këtu ndenjëm me ambulancën me dyer të hapura, sepse nuk kishte barrellë, njerëz që ta merrnin dhe as oksigjen. Për të marrë oksigjen duheeshin 20 minuta. E futën brenda. Pas dy orësh ka ardhur kirurgu.

E futën në operacion. Na thanë që foshnja ka vdekur, të shpëtojmë të madhen tani. Nuk e çfarë i bënë, por në fund doli e vdekur”.

Rrëfimi tronditës i kunatit të viktimës A. Ç është një akuzë e rëndë jo vetëm për mjekët përgjegjës, por për të gjithë sistemin shëndetësor. Është një këmbanë e fortë alarmi.

Kjo vdekje tragjike e një nëne me fëmijën e saj në bark është dëshmi se si funksionon shëndetësia në Shqipëri. Ajo i heq llumin e makiazhit që i bën propaganda qeveritare këtij sistemi. Tregon se urgjencat janë të gatshme vetëm për të organizuar ceremoni për pritjet e ministrit Ilir Beqaj apo kryeministrit Edi Rama kur u duhet të justifikojnë milionat e harxhuara për bojatisje ndërtesash apo tendera që bien vetëm era korrupsion. Kur qytetarët u bien dyerve të tyre për të shpëtuar jetën, i gjejnë të mbyllura, pa mjete, pa oskigjen, pa mjekë.

Ky nuk është rasti i vetëm kur mjekë dhe sistemi shëndetësor janë nën akuzë. Dhe akuza kësaj here nuk është individuale, për ndonjë mjek të veçantë që është treguar i paaftë. Ajo nxjerr lakuriq maskaradën me shëndetësinë dhe miliardat e lekëve të harxhuara për të mbushur xhepat e ndokujt që i shërben qeverisë dhe propagandës së saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency