Në një letër drejtuar të gjithë Kryeprokurorëve dhe prokurorëve në sistemin prokurorial, prokurori special, Ali Rexha, ka folur për një seri maltretimesh që ia kanë bërë atij gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit. Sipas tij, për shkak të performancës së tij të mirë, në vend se të shpërblehet ai vazhdimisht është injoruar dhe dëmtuar qëllimisht. Madje, sipas letrës së tij, Sevdije Morina, njëherësh siç thekson ai kunata e Rrahman Morinës, e ka shpallur Ali Rexhën të çmendur. “Kështu ka ndodhe me mua ne kohen kur Sevdije Morina ( kunata e Rrahman Morinës, e nena e Donjeta Morinës qe e ka quajt Madeline Albright kriminel lufte, personin numer 2 ne rruzull tokësor qe ka ndikuar dhe ndihmuar ne çlirimin e Kosovës nga okupatori shekullor serb)”, ka shkruar ky Prokuror Sipas prokurorit Rexha, kjo është bërë pa kurrfarë ekzaminimi mjekësor, gjatë vlerësimit të punës që Sevdije Morina ia ka bërë atij për vitin 2013. Gjithë këto maltretime, sipas Rexhës, janë mbrojtur nga ish-Kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili e ka injoruar atë, duke mbrojtur Sevdije Morinën. Prokurori Ali Rexha, në letrën e tij, thotë se ka shpresuar shumë tek Kryeprokurori i sapozgjedhur Aleksandër Lumezi. Por, sipas tij, Lumezi ka bërë pazare me Sevdije Morinën, e cila në këmbim të votës për ta bërë Kryeprokuror Lumezin, është shpërblyer tanimë me pozitën e Zëvendës Kryeprokurores së Shtetit. Sipas prokurorit Rexha, Sevdije Morina, sipas informatave të tij, jo që nuk e ka merituar avancimin, por për shkak të dështimeve të saj në Prokurori Speciale, është diskutuar që të degradohet në Prokurori Themelore të Prishtinës si prokurore. Mirëpo, meqë e ka votuar Aleksandër Lumezin për Kryeprokuror, Sevije Morina përveç avancimit si prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe emërimit në pozitën e Zëvendës Kryeprokurores së Shtetit, ajo është shpërblyer edhe me emërim në Panelin për Lirim me Kusht për të burgosurit. Në letrën e tij, prokurori Ali Rexha ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial dhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi që të sqaroj të gjitha shkeljet dhe padrejtësitë, të cilat i ka theksuar në letrën e drejtuar të gjithë Kryeprokurorëve dhe prokurorëve. “Ketë letër e shkruaj pasi qe nuk kame munde me gjete shprehje te organet përkatëse brenda Prokurorisë. Qe do te ishte mënyra me e mirë, me e lehtë, me e ndershme, me racionale dhe pa pasoja. Por kjo nuk ndodhi, me fajin e Ismet Kabashit”, ka shkruar ai. Në këtë letër, Rexha e lavdëron vetën dhe thotë se edhe prokurorët tjerë e konsultojnë kur kanë të bëjnë me akuza për krim financiar./panorama