Shpërthen Majlinda Bregu: Zgjedhja e Bashës si kryetar ishte gabim

0
195

Për deputeten demokrate, Majlinda Bregu, zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD-së ishte gabim. E ftuar në emisionin “Oktapod” në “Vizion Plus”, Bregu bëri të ditur se ajo kishte votuar për Sokol Olldashin si kryetar.
Deputetja tha se askush nga “mistrecët” në Grupin e PD-¬së nuk ka për synim t’i marrë vendin Bashës, por synojnë të përmirësojnë Partinë Demokratike, që kjo forcë të rimëkëmbet dhe të ngjallë shpresën te qytetarët.

Zonja Bregu, keni nisur së fundmi një nismë në “Facebook”, mund ta shpjegoni si do të funksionojë ajo?

Nisur nga mesazhet gjatë këtyre ditëve në një komunikim së brendshmi, brenda vetes dhe partisë, pashë se po i ftoj brenda partisë.

Një komunikim që nuk e zëvendëson të madhin, por që rrinë më shpejt te demokratët, cilat janë bazat e këtij komunikimi?

Unë kam ftuar ata që janë demokratë, anëtarë të PD-së, rishtarët, ata që nuk e dinë se për kë do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të 2017-s, por për të mbledhur ide dhe sugjerime që nganjëherë është ajo që thotë Kundera: “Të tjerët gjejnë te ne atë që e humbasin vetë”. Mbase kemi humbur ndonjë fill e nuk po orientohemi dot dhe duke i dëgjuar njerëzit e duke marrë mendimin e tyre, mbase krijon më shumë ide dhe se çfarë duan, çfarë presin, cilat janë problemet reale që ka Partia Demokratike.

Pse nuk mjaftojnë forumet e PD-së për t’i shprehur këto mendime?

Mua s’më pengon askush. Jam anëtare e PD-së dhe s’më pengon askush të zgjedh dhe të ruaj një formë komunikimi e t’i pyes anëtarët e PD-së si e mendojnë që kjo parti të jetë më e fortë dhe të ketë mundësi të vijë në zgjedhjet e 2017¬s si forcë e parë politike.

Çfarë ju thotë Basha, se është hapur që ju në rastin më të mirë doni të përmirësoni lidershipin e Bashës, në rastin më të keq ju mendoni që nuk ai duhet të jetë kryetari i PD-së. Si është komunikimi me të?

Unë nuk e shoh kështu, asnjëri nga ne, se nuk kemi bërë ndonjë grup armiqësor, por asnjëri nga ne më “mistrecët” që nuk rrimë dot dhe pa folur nuk ka pasur ndonjë synim për t’i zënë vendin Lulzim Bashës në momentin kur është zgjedhur kryetar i PD-¬së. I gjithë synimi është që të gjithë bashkë t’i japim mundësi kësaj partie të marrë atë formë që ka pasur dhe në ditët e saj më të mira. Por dhe për t’i dhënë atë formë që koha sot e kërkon ose partitë e mëdha kanë nevojë t’u përshtaten zhvillimeve që ofron shoqëria. Partitë sot kanë nevojë për një lloj menaxhimi të përbashkët ku gjithkujt t’i njihet kontributi, ku dhe kryetari i PD-¬së menaxhon kontributet dhe asetet e gjithsecilit. Nuk është koha sot e partive me lider suprem, të heroit kombëtar, por e njerëzve që ulen, diskutojnë dhe gjenerojnë ide. Partitë sot kanë lëvizur nga rrafshet e tyre ideologjike. Programet tentojnë t’i afrohen njëra-¬tjetrës, besueshmërinë e kthen marrëdhënie që ti krijon me njerëzit. Sa afër je asaj që ata presin nga ty, kur të shohin çfarë shprese i ngjall. Largimi nga viktimizimi që, për mendimin tim, është emergjent të largohet nga Partia Demokratike. Sepse viktimizimi as të sjell pushtet dhe as të jep prestigj. Njerëzit nuk kanë nevojë të shohin para tyre njerëz të dobët, por duhet të shohin njerëz që ngjallin shpresë. Po në rast se nuk jemi ne të zotë për të ndaluar qeverinë dhe Edi Ramën, si do të jetë i zoti ai qytetar që nuk ka çfarë të hajë, është pa punë, ka një mijë halle në shtëpi, nuk arrin dot të shkollojë fëmijët, apo i bllokohet e drejta e fëmijës tjetër për t’u shkolluar edhe pse ka mësuar. Ne duhet të jemi garantë për të treguar që jemi më të fortë. Nuk bind njeri duke i thënë që ne jemi të dobët dhe kjo është qeveria e krimit që na i vjedh votat edhe neve.

Në tetor thuajse nis fushata për zgjedhjet e ardhshme. PD ku do të jetë, sepse koalicioni PS-LSI-PDIU është shumë i fortë? PD duhet të flirtojë me LSI-në dhe PDIU-në?

Unë vazhdoj të besoj se kjo qeveri, dhe ky duhet të jetë synimi i Partisë Demokratike, duhet të rrëzohet e tëra. Nuk mund të rrëzosh gjysmën e qeverisë dhe të presësh të fitosh nga gjysma tjetër e qeverisë. Të dy janë përgjegjës për situatën ku ndodhet vendi, për keqmenaxhimin dhe situatën ku ndodhen sot shqiptarët. Kjo duhet të jetë e vetmja linjë e PD-së. PD, të vetmen aleancë e ka me qytetarin. PD ka nevojë për të konsoliduar dhe për të marrë veten në rrafshin e të djathtës. Të munguar në këtë vend.

Me gjithë këto që thoni, mendoni se zoti Basha mund të mos ju kandidojë në zgjedhjet e ardhshme si deputete?! Ke frikë…?

Kjo puna e frikës më bën përshtypje… Unë nuk e di veten heroinë dhe trime. Por kjo është një pyetje kaq hipotetike, por i vetmi shqetësim që nuk më shkon ndërmend është ky.

Vazhdoni të mendoni se PD do ishte më mirë me kryetar Sali Berishën?

E kam menduar.

Dhe a je përlotur kur Berisha dha dorëheqjen?

Po.

A ke menduar shpesh që zgjedhja e Bashës kryetar i PD-së ka qenë gabim?

E kam menduar. Kam votuar për Sokol Olldashin.

A ju ka shkuar shpeshherë në mendje që mund të jeni kryetarja e parë femër e PD-së?

Këtë e ke menduar ti. Duhet të më japësh një alternativë tjetër. Po pres njëherë të shoh rimëkëmbjen e PD-së… Unë nuk trembem fare, nuk është ky synimi sot për sot. Edhe unë kam më qejf të shkoj lart, sesa poshtë.

A ke menduar që e vetmja mënyrë për të mposhtur Ramën është koalicioni me Ilir Metën?

S’e kam menduar gjatë gjithë kësaj kohe që jemi në opozitë.

A ke menduar që nëse Basha do t’i humbë zgjedhjet e 2017-s duhet të japë dorëheqjen?

Këtë e vendosin strukturat dhe ka një Kuvend Kombëtar të PD-së. Mos më ço në raste hipotetike, ne duhet të shkojmë në zgjedhje për të mos humbur.

A të ka shkuar ndonjëherë në mendje që nëse Rama do të bënte atë kabinetin e famshëm, do të shkoje me të në qeveri?

E kam deklaruar publikisht, as me Ramën dhe as me Metën.

Nëse Basha bën koalicion me Metën, a ke menduar të dorëhiqesh nga PD-ja?

Jo, kam deklaruar që nuk do të votoja për një koalicion të mundshëm.