Zyrtare: Trafiku i drogës, burimi kryesor i parave të pista

0
285

Trafikimi i lëndëve narkotike çmohet si burimi kryesor për pastrimin e parave të pista në vendin tonë, thuhet në një analizë që ka bërë së fundmi Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) në kuadër të identifikimit të fenomenit me bazë risku. Ky institucion, që është në vartësi të ministrisë së Financave, ka pranuar kështu zyrtarisht një të vërtetë që shqiptarët e dinë tashmë shumë mirë. Dokumenti i vlerësimit të riskut u është paraqitur të gjitha institucioneve domethënëse në vend, organeve mbikëqyrëse, subjekteve financiare bankare, shoqërive të transfertave etj. Sipas DPPP-së, rreziku dhe kërcënimi kryesor i identifikuar për pastrimin e parave është produkti kriminal i cili çmohet se buron kryesisht nga trafikimi i lëndëve narkotike, krime në fushën doganore dhe tatimore (si kontrabanda, fshehja e të ardhurave, mashtrimi me TVSH) dhe korrupsioni, vepra këto që mendohet se dominojnë të ardhurat kriminale.

Rreziku i dytë më i madh për pastrimin parave konsiderohet transporti i parasë fizike në hyrje/dalje nga pikat e kalimit të kufirit. Analiza e DPPP-së ka arritur në përfundimin se fenomeni i transportit cash të vlerave monetare në pikat kufitare është i ndjeshëm, ndërkohë që deklarimet dhe ndëshkimet për këtë vepër penale të mosdeklarimit janë minimale. Nga ana tjetër, informaliteti i lartë në ekonomi dhe përdorimi në shkallë të gjerë i parasë fizike, vështirësojnë detektimin dhe hetimin e fenomenit.

Nisur nga të dhënat e përfituara, rezulton se mundësia e identifikimit të rasteve të dyshimta në nivel inteligjence është në nivel të mirë, mirëpo hetimi paraqet probleme të dukshme dhe kjo ndikon edhe në dërgimin e shumë pak rasteve në Gjykatë. Hetimi i rasteve të pastrimit të parave në mënyrë autonome (pra kur personi nuk e ka kryer veprën e origjinës) ngelet ende në nivele të ulëta. Sipas shpjegimeve të DPPP-së, në eficencën e hetimeve ndikon edhe fakti se për një pjesë të konsiderueshme të rasteve nevojitet ekzekutimi i letër-porosive nga autoritetet e huaja gjyqësore, ekzekutim ky që kryhet me shumë vonesë dhe që ndikon negativisht në hetim, duke çuar në marrjen e vendimeve të pushimit apo pezullimit të procedimeve penale. Konfiskimet në zbatim të legjislacionit penal për çështjet e pastrimit të parave janë në nivele minimale. Më tej edhe zbatimi i Ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, është shumë larg pritshmërisë dhe mundësive që ky ligj jep në kuadër të konfiskimit të produkteve kriminale.