I gjendur përballë kritikash të forta nga familjarët e një 35 vjeçarje që humbi jetën në muajin e shtatzanisë në maternitetin Koço Glozheni, ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj u detyrua të dilte para qytetarëve për të qetësuar situatën. I gjithë qëllimi i kësaj daljeje ishte të sqaronte opinionin publik se sistemi shëndetësor funksionon. Një paraqitje e sforcuar para kamerave dhe qytetarëve që ngjarja e dy ditëve më parë i ka acaruar jo vetëm nga fakti se ajo dëshmoi se shëndetësia nuk fuksionon, por edhe nga tentativat e qeveritarëve për ta fshehur realitetin. Ministri i Shëndetësisë tha se autoambulancave që kanë shoqëruar pacienten nuk u ka munguar asnjë nga mjetet që duheshin për këtë rast (shih videon më poshtë). Familjarët e saj deklaruan se nuk gjetën as barrela dhe as oksigjen, i domosdoshëm për të. Beqaj i mohoi akuzat, por kur gazetarët vazhduan ta pyesnin se përse urgjenca kishte qëndruar e mbyllur gjatë natës, ai nuk gjeti dot përgjigjje dhe u largua. “Së pari unë dua të konfirmoj se deri tani deri tani sistemi ka funksionuar. Mjekët dhe personeli mjekësor kanë qenë aty. Ekzaminimet janë kryer. është transportuar me autoambulancë. Ne si ministri jemi të angazhuar për të zbardhur deri në fund deri në fund funksionimin e sistemit dhe të bëjmë transprant për publikun”, u shpreh Beqaj. Vdekja e një nenë dhe foshnjës që priste të lindte në pak ditë janë një akuzë e rëndë për të gjithë sistemin dhe përgjegjësia kryesore bie mbi ministrin e shëndetësisë. Ai ka dhënë miliarda lekë tendera e koncesione në 3 vitet që drejton këtë dikaster, por këto para nuk e kanë përmirësuar sistemin shëndetësor, pasi qytetarët përballen me të njëjtat probleme si më parë.