Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka nisur një aksion të gjerë në të gjithë vendin për inspektimin e subjekteve që prodhojnë dhe tregtojnë qofte. Inspektorët e AKU-së, kanë parë nga afër kushtet higjieno-sanitare, si dhe kanë marrë mostra për kryerjen e analizave. Aksioni është shtrirë në qytetet Tiranë, Durrës, Fier dhe do të vijojë edhe në qytetet e tjera. Nga këto inspektime, janë marrë masa , duke filluar që nga paralajmërime, pezullime aktiviteti, si dhe deri në bllokime të frigoriferëve me qofte.
Në Tiranë janë inspektuar 10 zgara, ku janë marrë mostrat për secilin subjekt. Në një nga zgarat e Tiranës, është vendosur masë bllokimi për frigoriferët, për shkak se produkti që ndodhej aty, nuk kishte etiketë dhe nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare . Në qytetin e Fierit janë kryer 16 inspektime, në zgara dhe në subjekte që përpunojnë mishin. Nga këto inspektime është vendosur pezullim aktiviteti për një zgarë, e cila kishte probleme me kushtet higjieno-sanitare dhe nuk kishte dokumentacionin përkatës . Gjithashtu janë dhënë 11 paralajmërime për gjobë dhe pezullim aktiviteti.
Në qytetin e Durrësit u inspektuan 21 subjekte, kryesisht zgara, magazina ushqimore dhe subjekte që përpunojnë mishin. Për të gjitha subjektet janë marrë mostra dhe pritet që të dalin analizat brenda 3 ditëve. Ndërkohë janë dhënë dy parlajmërime, për dy subjekte, për shkak se nuk kishin dokumentacionin e kërkuar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i bën apel qytetarëve dhe mediave që të denoncojnë çdo rast abuzim me ushqimet.