Filmi shqiptar/ “Krom” i Bujar Alimanit, në Oscar për Shqipërinë

0
539

Bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë-Gjermani-Greqi dhe pati premierën ndërkombëtare në Festivalin Karlovy Vary, në korrik 2015

Shqipëria nis “Krom” në garën për Oscar. Filmi me regji të Bujar Alimanit do të përfaqësojë Shqipërinë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. “Krom” është bashkëprodhim Shqipëri-Kosovë-Gjermani-Greqi dhe pati premierën ndërkombëtare në Festivalin Karlovy Vary, në korrik 2015. Një dramë njerëzore me një mesazh të qartë për shoqërinë shqiptare vjen përmes filmit të Bujar Alimanit.

 

Filmi për tragjedinë shqiptare të “Kromit”

Ajo është një nënë memece e pafat në dashuri. Pas vdekjes së bashkëshortit të parë, ajo martohet sërish dhe sërish përballet me një tjetër humbje. E pafuqishme përballë fatit, asaj i duhet të përballojë e vetme jetën, bashkë me fëmijët. Djali i saj pesëmbëdhjetë vjeç përpiqet të njohë vetveten, në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Një mashkull që hyn mes djalit e nënës, sepse nuk ka asnjë tjetër veç saj dhe një mësuese rock për t’ju gjendur djalit si një engjëll në rrugën e tij. Me skenar dhe regji të Alimanit, filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, prodhuar nga shtëpia filmike “90 Production” në bashkëpunim me “Gegnia Film Fantasia Audio-Visual Elsani Film”. Historia e këtij filmi është frymëzuar nga miniera e kromit në Bulqizë, e cila ka rrezikuar jetën e dhjetëra minatorëve vitet e fundit, duke u kthyer në tragjedi për familjarët që kanë humbur njerëzit e tyre. Por regjisori duket se ka dhe një përjetim personal në këtë film, që e çon pas në kohë. Filmi trajton dhe këndin psikologjik të një adoleshenti, mënyrën sesi dy femra siç janë nëna dhe mësuesja ndikojnë në formimin e tij.