Vajza e një familje ish-të dënuarish politikë i ka shkruar kryeministrit Edi Rama, duke pritur njëherësh përgjigjen e tij.
Ajo ka shfrytëzuar një video që Rama ka shpërndarë në Facebook në rubrikën e re “Komunikimi javor” ku foli për zgjedhjet në Dibër, për t’i shprehur kryeministrit shqetësimin e saj. Çiljeta Bome ka një histori të dhimbshme.
Ajo ka lindur në qeli ku nëna e saj ishte dënuar politikisht nga regjimi komunist. Ajo kërkon që fëmijët e lindur në burg të kenë status të veçantë.
Ajo tregon se prindërit e saj, që sot nuk jetojnë më, ishin artistë dhe u dënuan me 15 vjet burg politik.
Si një artist që është, ajo i kërkon kryeministrit Rama që të jetë i ndjeshëm ndaj kësaj çështje.
“A mund të më thuash pse nuk dëmshpërblehen fëmijët e ish-të përndjekurve, fëmijët e lindur në burg, qeli si puna ime, që ju qeveritarët i quani trashëgimtar. A e dini ju që ne duhet të kishim status më vete, se foshnjën nuk ka zot që e dënon, vetëm Enveri e bëri këtë. Në qoftë se ju do të na jepni këtë status që ne e meritojmë them se do shënoheni në histori. Koha do i gjykoj gjërat kush është komunist në këtë vend. Prindërit e mi ishin artistë dhe u dënuan me 15 vjet burg politik. Ata vdiqën, por po më dënoni dhe mua duke mos më vlerësuar. Po vlerësohen njerëz pa vlerë e moral. Mos harroni, çdo gjë do shkruhet në kohën e vet. Dhe ju jeni artist, duhet të jeni më sensibël me këto çështje. Ju falenderoj po më respektuat dhe e lexoni!”, shkruan ajo duke komentuar në profilin e kryeministrit Edi Rama. /Gazeta Express/
(Ciljeta Bome me nënën e saj)