Bën kallëzim të rremë për të fshehur provat e krimit, Policia e Fierit zbardh ngjarjen dhe ndalon autorin. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan Artijan Isajn, 46 vjeç, banues në fshatin Drizë, Fier.
Më datën 19.09.2016, rreth orës 13:00, shtetasi Artijan Isaj është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier dhe ka bërë kallëzim penal për vjedhjen e makinës së tij tip “Mercedes Benz” me targa AA 250 KG. Makinën e tij e kishte marrë djali i vet, Panajot Isaj dhe bashkë me shokun e vet Marsel Sadiku janë nisur për në Tiranë.
Në autostradën Rrogozhinë-Kavajë, më datë 19.09.2016, rreth orës 12:00, Marsel Sadiku, duke drejtuar “Mercedes Benz” me targa AA 250 KG ka bërë aksident duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe të dy janë larguar nga vendi i ngjarjes duke e braktisur mjetin.
Nga hetimet del e provuar se Artijan Isaj kishte dijeni për veprimet e mësipërme dhe me qëllim e keqdashje ka bërë kallëzim për të fshehur provat e krimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Kallëzim i rremë” parashikuar nga Nenet 301 dhe 305 të Kodit Penal.