Tre thasë me lëndë narkotike kanabis sativa janë sekuestruar në orët e para të mëngjesit të djeshmë në Qafë-Thanë. Droga në fjalë është sekuestruar pas kontrolleve në pikën e kalimit kufitar drejt Maqedonisë. Kështu siç bën me dije policia, oficerët e policisë kufitare kanë dyshuar se tre persona po tentonin të kalonin drogën në anën tjetër të kufirit. Sapo kanë pikasur këtë, autorët kanë braktisur thasët me kanabis dhe janë larguar me shpejtësi. Sipas policisë, në tre thasë ishin vendosur 25 pako me kanabis, me peshë të përgjithshme 28.7 kg. “Në datë 19.09.2016, rreth orës 02:00, Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë -Thanës, gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit të kufirit të gjelbër, në afërsi të pyllit i cili ndodhet në krahun e djathtë të Pikës së Kalimit Kufitar, kanë konstatuar lëvizjen e dyshimtë të dy personave. Policia iu ka bërë thirrje këtyre të fundit, për të ndaluar, por duke përfituar edhe nga errësira, këta shtetas janë larguar me shpejtësi në brendësi të pyllit, duke mos iu bindur urdhrit të tyre. Ndërkohë gjatë ndjekjes dhe krehjes së zonës, punonjësit e Policisë Kufitare, kanë konstatuar tre thasë me ngjyrë të bardhë, brenda të cilëve u gjetën 25 pako të mbështjella me natriban, me një peshë prej 28 kg e 725 gr, lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva”, njofton policia. Ende nuk dihet identiteti i personave të transportonin drogën, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tyre.