Gjysma e gjyqtarëve në vend përjashtohen nga e drejta për të kandiduar në institucionet e reja, që krijohen me reformën në drejtësi. Sapo të bëhet miratimi i ligjeve të tjera përveç atij të vetingut, do të ngrihen një sërë institucionesh si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, etj. Në ligjet që pritet të miratohen janë përcaktuar një sërë kushtesh mbi gjyqtarët, ku më kryesori është që të kenë marrë një vlerësim “shumë mirë” në dy herët e fundit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sa i takon performancës në detyrë. Por sa prej tyre e plotësojnë këtë kriter? Nëse shihen përfundimet e KLD për vitet e fundit, rezulton se rreth 200 persona kanë marrë vlerësime “mirë” dhe “pranueshëm”, ndërsa pjesa tjetër “shumë mirë”. Duke qenë se në Shqipëri janë rreth 400 gjyqtarë në të gjithë vendin, 200 prej tyre përjashtohen direkt nga e drejta për të qenë pjesë e institucioneve të reja. “Në kohën e kandidimit, të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit për të paktën 10 vjet; Në kohën e kandidimit, nuk duhet të jenë kryetarë të një gjykate ose anëtarë të organeve drejtuese të grupeve të interesit të tilla si shoqata gjyqtarësh, sindikata gjyqtarësh etj; Të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale”, thuhet në ligjin për organet e sistemit gjyqësor. Ky përcaktim vlen edhe për strukturën e vetingut. Pra del qartë se ekspertët e kanë hartuar në mënyrë të tillë ligjin që të nxjerrin jashtë loje pjesën më të madhe të gjyqtarëve. Rreth 200 penalizohen për shkak të vlerësimit, mirëpo ka një pjesë të madhe që janë proceduar penalisht, ndërsa një pjesë tjetër janë kallëzuar për fshehje pasurie, apo abuzime të tjera. Kjo do të thotë se të drejtën për të hyrë në organet e reja e kanë jo më shumë se 100-150 gjyqtarë.
Statistikat
Nëse i referohemi dokumenteve të performancës të KLD për vitet 2013-2014-2015, shifrat tregojnë se një pjesë e madhe e gjyqtarëve nuk janë vlerësuar “shumë mirë” në punën e tyre, pasi u janë gjetur probleme me vendimet dhe çështje të ndryshme. Në vitin 2013 rezulton se Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka bërë vlerësimin mirë për 96 “mirë” dhe për 5 “pranueshëm”. Ky vlerësim është dhënë pas kontrollit të punës së 279 gjyqtarëve. Situata ka qenë pak më ndryshe në vitin 2014, ku vlerësim “mirë” dhe “mjaftueshëm” kanë marrë rreth 50 persona. Ndërsa e njëjta gjë ka vijuar edhe përgjatë vitit 2015. Ndërkohë, parasysh do të merren dhe rezultatet e vitit 2016, duke e rritur akoma dhe më tepër këtë shifër. Jo pak herë gjatë diskutimeve në KLD ka pasur debate sa i takon vlerësimit të gjyqtarëve, por sipas të dhënave, del se një pjesë e madhe e gjyqtarëve janë gjetur me probleme me vendimet e tyre, sidomos zvarritje. Me reformën në drejtësi do të ndryshojë dhe mënyra e vlerësimit të gjyqtarëve, pasi do merren parasysh dhe regjistrimet audio e video të seancave, si dhe do hapen çdo vendim dhe dokument që mban firmën e tij. Kjo praktikë do nisë me vetingun, por do vijohet të ndiqet nga KLGJ.