Dita e fundit e regjistrimeve të fazës së parë në fakultete i gjen ato me pak studentë e shumë të tjerë jashtë auditorëve me shpresën për t’u pranuar në fazën e dytë.
Të dhënat e siguruara nga universitetet tregojnë për një numër të ulët regjistrimesh edhe në degë shumë të preferuara si ato të Mjekësisë, Ekonomisë apo Informatikës. Kjo nuk përjashton faktin që edhe mes fituesve të ekselencës në raundin e parë ka të pakënaqur që dëshirojnë të vijojnë garën për një degë, sipas tyre, më të mirë.
Siç është thënë shpesh edhe nga Ministria e Arsimit, kuotat janë aty, madje më shumë se gjysma e tyre. Gazeta publikon numrin e studentëve të regjistruar deri dje e po ashtu edhe numrin e studentëve që do të pranojnë fakultetet.
Me një llogari të thjeshtë, maturantët, përpara se të plotësojnë formularin e dytë të aplikimit në IAL gjatë javës së fundit të shtatorit, në saje të kuotave boshe dhe pikëve që kanë, mund të kalkulojnë me përafërsi mundësinë për t’u shpallur apo jo fitues në degët që dëshirojnë. Gjithashtu nuk duhet harruar se në raundin e dytë priten më shumë aplikues, pasi do t’u bashkohen ata që kaluan provimet e vjeshtës.
KUOTAT E LIRA
Nga të dhënat jozyrtare në katër universitetet e kryeqytetit: të Tiranës, të Mjekësisë, Politeknikut e Bujqësorit (pak gjë pritet të ndryshojë në ditën e fundit) nuk janë plotësuar as 30% e kuotave që ofrojnë në total.
Vetëm në degët: Mjekësi e Drejtësi, gjysma e fituesve nuk e kanë pasur me mëdyshje zgjedhjen e tyre. Tek Universiteti i Mjekësisë, ajo që bie në sy është numri i ulët në degë shumë të preferuara, si Farmacia apo Stomatologjia, të cilat kanë përkatësisht 0 dhe 2 studentë. Kjo shpjegohet vetëm me dëshirën e tyre për të fituar medoemos Mjekësinë.
Fakulteti i Ekonomisë me katër degët e tij, përveç filialit Sarandë, ka gati 600 kuota pa plotësuar. Fakulteti që kryeson vendet boshe është ai i Shkencave të Natyrës, ku deri pak ditë më parë kishte programe me asnjë student.
Përveç Informatikës me 45 studentë nga 300 kuota, numri i të regjistruarve në degët e tjera është minimal. Tek Universiteti Politeknik, shumica e atyre që fituan në Gjeologji- Miniera e kanë ndarë mendjen të studiojnë aty, ndërsa të tjerë janë në pritje të një dege më të mirë.
Edhe Arkitektura e Inxhinieria e Ndërtimit kanë aktualisht shumë pak studentë, përkatësisht 28 dhe 27 të tillë, ndërsa kuotat i kalojnë të 200-at. Më shumë studentë në raport me kuotat që ofron ka siguruar deri më tani Universiteti Bujqësor, në të cilin janë regjistruar 373 nga 1614 që është kapaciteti pritës i tij.