Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” janë në rendin e ditës së seancës se sotme të Kuvendit. Sipas qeverisë, pr/ligji synon rilejimin e importit për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit. Ky pr/ligj ka shkaktuar reagime të forta ditët e fundit nga shoqëria civile, e cila ka nisur edhe sot një protestë përpara parlamentit,pak para nisjes së seancës plenare, ndërkohë që priten debate edhe në sallën e Kuvendit. Ambientalisti Lavdosh Ferruni paralajmëroi deputetët se nëse nuk reflektojnë për anulimin e pr/ligjit do të përballen me uraganin qytetar. Ferruni theksoi se asnjë qytetar shqiptar nuk i do plehrat. Ndërkohë, burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se deputetët e PD-së do votojnë kundër ligjit për importin e mbetjeve. Krahas këtij pr/ligji, në axhendën e parlamentit është përfshire për votim dhe dekreti i presidentit që ktheu për shqyrtim ligjin “Për masat shtesë së sigurisë publike”. Para nisjes së seancës, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për miratimin e kalendarit trejavor për ditët në vazhdim. Dita e sotme ishte planifikuar për votimin e 6 ligjeve të reformës në drejtësi, por procedura është shtyrë për javën e ardhshme, pasi draftet nuk janë ende gati për seancë.BW