Në një mori çështjesh dhe akuzash që kanë sjellë debate mes opozitës dhe mzhorancës në Kuvend, kryeministri Rama i ka dalë në mbrojtje ligjit të importit të plehrave, duke theksuar që i qëndron mendimit të vitit 2013.
Rama shprehet se gjatë qeverisë së PD-së gjithçka ishte jashtë kontrollit dhe tashmë janë krijuar kushtet dhe kapacitetet e duhura për importin e mbetjeve.
“Së pari nëse i referohemi vendimit të tri viteve më parë, po të ktheheshim sërish atje do të bëja të njëjtën gjë. Gjithçka ishte jashtë kontrollit dhe ligji nuk garantonte mbrojtjen e Shqipërisë nga plehrat e rrezikshme, – tha Rama. – Në vitin 2013 nuk kishte asnjë lloj kapaciteti në infrastrukturë dhe burime ligjore. Sot ka një laborator të standardeve më të larta evropiane. Sot kemi një laborator modern të investuar nga BE që bën të mundur gjithë kontrollin dhe analizat fizike, kimike dhe mikrobiologjike të çdo materiali që hyn në Shqipëri, por kemi edhe një ekip njerëzish edhe ata të trajnuar nga BE”, tha kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, “ky ligj është vetëm hapja e rrugës për t’i dhënë një impuls të nevojshëm industrisë që për 3 vitet e fundit ka vazhduar të bëjë investime serioze në infrastrukturën e vet”. Ai shtoi se brenda 3 vjetësh do të bëhet riciklimi i mbetjeve në vend.
Ndërsa kryeministri Berisha, i cili e kundërshtoi këtë ligj, u shpreh se “Rama ka marrë 4 milionë euro ryshfet nga eko-mafia për miratimin e një ligji të tillë”.