Admir Tafili rrëfen njohjen me Kristi Pinen: I kërkova të më mbronte familjen

0
205

Admir Tafili, person i dënuar me burgim të përjetshëm si dhe i akuzuar si urdhërues i disa vrasjeve me pagesë nga qelia ku vuan dënimin, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Tafili, ka akuzuar Kristi Pinen se ka mashtruar me dëshmitë e tij, se ka kryer vrasjen e Ibrahim Manit me urdhër të Tafilit. I dënuari me burgim të përjetshëm, Admir Tafili është shprehur përballë trupit gjykues se Kristi Pinen e ka njohur në burgun e Bradasheshit në Elbasan dhe atje ai i ka folur për një person të cilin e kishte hasëm. Bëhej fjalë për Ibrahim Manin, të cilin Pine, sipas Tafilit e ekzekutoi pasi ai i kishte vrarë dajën. Po kështu Tafili ka treguar se, i penduari Pine, pasi ka dalë nga burgu e furnizonte herë pas here me telefona celularë të cilët ai ua shiste të dënuarve të tjerë. Tafili ka pranuar se Pine i ka ruajtur familjen e tij me armë, pasi i është refuzuar statusi i azilantit në Gjermani. Admir Tafili është arrestuar ne vitin 2001 dhe akuzohet t’i ketë bërë prite për qëllime hakmarrjeje ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjeter Petrushit të cilin i pandehuri e akuzonte se i kishte vrare të atin Bahri Tafilin.

Dëshmia

Admir Tafilaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga i penduari Kristi Pine, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë duke tregtuar se ka kryer vrasje me urdhër të Tafilit. Ditën e djeshme përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda, Tafili ka mohuar akuzat e Pines duke e cilësuar atë si mashtrues. “Kristi Pinen e kam njohur në burgun e Bradasheshit dhe nuk e kam urdhëruar të kryej asnjë vrasje. Herën e parë që kemi folur në dhomat e ajrimit i kam parë një tatuazh të cilin e kishte bërë në kujtim të dajës së vrarë. Menjëherë e pyeta se kush janë hasmit e tij dhe ai mu përgjigj për një person nga Elbasani dhe Ibrahim Manin. Nga shoqëria që krijuam në burg, kur Pine doli unë i kërkova që sa herë të vinte për të më takuar të më sillte 2 ose 3 celularë të cilët unë i shisja me 400 euro për të burgosurit dhe Pines i jepja 100 euro. I kam kërkuar të më sillte edhe kokainë në burg, ndërsa për shumë kohë deri në ditën e arrestimit Pine ka punuar për mua duke ruajtur familjen time, gruan dhe tre fëmijët. Më ka kërkuar 3 mijë euro për të blerë një pistoletë dhe ia kam dërguar. Mora vesh që më këto lek bleu një pistoletë “TT” dhe një armë tjetër. Familjen e ka ruajtur deri në momentin që u arrestua”, kështu është shprehur ditën e djeshme, Admir Tafilaj. Menjëherë pas dëshmisë së tij ka reaguar edhe i penduari Kristi Pine, i cili ka mohuar ato që ka thënë Tafili. “Ai tha vetëm një të vërtetë, që unë i kam ruajtur familjen me armë, të gjitha të tjerat janë mashtrime. Nuk ka asgjë të vërtetë. Ndërsa gjakun e dajës, familja ime e ka falur”, kështu iu kundërpërgjigj Kristi Pine, akuzave të Tafilit.

Banda

Grupi i drejtuar nga Tafili përfundoi në prangat e policisë më 15 janar të vitit të kuluar ndërsa akuzohet për një sërë krimesh mes tyre për 4 vrasje, 5 tentativë vrasje, vendosje tritoli gjobëvënie dhe plagosje. Në këtë proces gjyqësor janë 13 persona të akuzuar për vrasjen e ngelur në tentativë të Edmond Cakmashit, sigurimin e kushteve për të vrarë Leonard Muratajn dhe të vrasjes së Majlind Lilës si dhe vrasjen e Ibrahim Manit, ngjarje këto të ndodhura në qarkun e dy viteve. Të pandehur si pjesë e grupit kriminal janë shtetasit Elson Merdani, Dritan Peksani, Alfred Qefalia, Adrian Uzuni, Kljadi Shermashi, Aleksandër Gora, Fatos Koka, Albano Beqiraj, Dhimitër Zito, Kalem Hyka,Besnik Daci dhe i penduari Kristi Pine. Ndaj këtij grupi rëndojnë akuzat “Vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency