Arrestimi për florinjtë pas Luftës, si u gjet e masakruar shoqja e Nexhmije Hoxhës

0
228

Një trup pa jetë te stadiumi, dy trakte kundër sekuestrimit të floririt dhe një raport sekret për organizimin ilegal të njerëzve të Zogut në Tiranë kanë qenë tri ngjarjet kryesore që Sigurimi i ka adresuar Enver Hoxhës në mbrëmjen e 15 majit 1945.

Nuk ka dokument zyrtar për mënyrën si ka reaguar ky i fundit dhe të tijtë pas këtyre lajmeve tronditëse, por ka dëshmi autentike me pohime rrëqethëse për situatën e jashtëzakonshme që përjetoi Tirana atë mbrëmje me kontrolle e ndalime të shumta në çdo rrugicë e lagje. Çuditërisht, lista e të kryqëzuarve që kishin guxuar t’i bënin karshillëk regjimit në ditët e para të tij, çelej me emrin e një vajze, që s’kishte asnjë lidhje me njerëzit e klasave të përmbysura, me tregtarët e floririt dhe përfaqësuesit e Mbretit Zog.Përkundrazi, Hatlije Tafani, 25-vjeçarja nga Tirana, viktimë e asaj nate të zezë, njihej nga shumëkush në qytet, por edhe në rrethina, për kontribute të spikatura në luftën çlirimtare. Ajo ishte nga të parat ndër moshataret e saj që ishte bërë pjesë e lëvizjes komuniste dhe kishte luftuar në radhët e formacioneve partizane kundër okupatorëve nazifashistë.

Një arsye tjetër që e bënte konfuz lajmin për arrestimin e saj ishte fakti që Hatlija ishte një nga shoqet e afërta të Nexhmije Hoxhës, gruas së shefit të regjimit, dhe Fiqrete Shehut e Liri Belishovës, me të cilat kishte ndarë ditët e netët e vështira të ilegalitetit dhe luftimeve në Tiranë. Në këto rrethana, zhdukja pa lënë gjurmë e Hatlije Tafanit dukej sa e mistershme, aq dhe e pabesueshme. Sidoqoftë, qysh prej asaj mbrëmjeje maji të vitit ’45, ajo nuk e kapërceu më pragun e shtëpisë me numër 69, në Rrugën e Barrikadave. Thanë se e kishin vrarë dhe varrosur fshehtas. U fol që kishte vrarë veten.

Zëra të tjerë pëshpëritnin se e kishin gjetur të coptuar në kazanin e plehrave të spitalit. E vërteta e dramës së mikeshës së gruas së Hoxhës nuk u zbardh asnjëherë e plotë. Madje, as më vonë, kur regjimi u përpoq ta arsyetonte tragjedinë me prapësitë e “trockizmit” të Koçi Xoxes. Fati i Hatlije Tafanit, me sa duket, ishte destinuar të mbetej enigmë e përjetshme. Gazeta “Panorama” për herë të parë zbulon dokumente e dëshmi që hedhin dritë mbi misteret e ngjarjes makabre.

RRËFIMI I KËZE TAFAJT: E RRËMBYEN PAS MESNATËS SI BANDITE

Këze Tafaj ka qenë një nga shoqet e afërta të Hatlijes. Ajo rrëfen me mall ditët që kanë kaluar bashkë në strehën prej qerpiçi përskaj Rrugës së Barrikadave. Hatlija, tregon ajo, ishte vajzë jetime, e rritur në mjerim, vetëm me kujdesin e nënë Nadires. Babain s’kishte arritur ta njihte.

 

 

Ai, i përndjekur nga njerëzit e Zogut, kishte emigruar herët dhe ishte vrarë nga këta të fundit gjatë një atentati në Vjenë. Nga shoqëria me të, shoqja e fëmijërisë ka fiksuar në kujtesë çiltërsinë dhe prirjen e saj për t’u gjendur pranë njerëzve me halle. Në luftë, pastaj, shprehet 90-vjeçarja, Hatlija mori tjetër pamje; zuri tjetër shoqëri, shkëlqeu ndër të tjerë për guxim dhe mençuri. Tanimë, sipas saj, takimet e dikurshme u bënë më të rralla, po kështu vizitat në shtëpitë e njëra-tjetrës. Se strehën te Rruga e Barrikadave e patën “pushtuar” drejtuesit e lëvizjes, kujton ajo. Nga grupi i tyre, nënë Këzja mban mend Nexhmije Hoxhën, Liri Belishovën dhe Fiqrete Shehun, që e kishin bërë shtëpinë e saj si shtëpinë e vet. Luftoi në Tiranë në krahë të tyre, thotë 90-vjeçarja Tafaj, po luftoi dhe në mal si partizane, bashkë me vëllain, Ramazanin. Ndodhi paslufte ajo që s’pritej.

Kujt i shkonte në mëndje pabesia që i punuan shokët e idealit. E rrëmbyen nëpër natë si bandite. E rrëmbyen dhe i morën jetën tinëz, kafshërisht. U ndava me të gjorën një ditë para arrestimit, tregon Këzja çastet e fundit me Hatlijen. E lamë të takoheshim të nesërmen, te shtëpia e saj. Unë do t’i çoja një vegjë të re për qëndisje dhe ajo do të më tregonte modelin e ri të punës me grep, që ia kishte sjellë Fiqrete Shehu nga Berati. Ishte koha kur sipas zakonit mendonim për pajën e dasmës. Unë për vete e ndieja ende herët për fustanin e nusërisë. Ajo, me sa dukej, diçka kishte vënë në vijë. Një bandill kishte hyrë në zemrën e saj. Po ishin ende ilegalë. Prandaj nxitonte. Nejse, histori tjetër kjo… Shkova atë mëngjes te shtëpia e Hatlijes. Një heshtje varri rreth e qark. Nënë Nadirja me lot në sy më tregoi çfarë kishte ndodhur gjatë natës. Mbeta në këmbë si e ngrirë. S’dija çfarë t’i thosha.

S’dija nga t’ia nisja. Aty për aty u përpoqa ta qetësoja me ca fjalë të përgjithshme dhe ika e lemeritur. Jashtë lagjja kishte filluar të ziente. Njerëzit të habitur hamendësonin nën zë për arsyet e rrëmbimit të papritur. Ditë të tëra kështu. Lajme nga më të çuditshmet dëgjoheshin aty-këtu. Thoshin se kishte ngritur dorë kundër komunistëve. Flitej se kishte marrë një letër nga një i arratisur nga Petrela. Çfarë nuk u tha për të mjerën deri ditën kur u hap lajmi se e kishin vrarë pa gjyq. Për vite të tëra historia e saj mbeti e varrosur. Nënë Nadirja derisa ndërroi jetë mbante te koka pajën e Hatlijes dhe gërshetin e flokëve që i kishin prerë në qeli…

NEXHMIJE SHATKU: E AKUZUAN PËR LIDHJE ME TREGTARËT E FLORIRIT

Nexhmije Shatku (Paja) ka qenë njëra nga shoqet e qelisë së Hatlije Tafanit. Në dëshminë para autoriteteve zyrtare, disa vite pas ngjarjes, ajo ka pohuar se procesi i Hatlijes kishte si kryefjalë një komunikatë të tregtarëve të floririt, që ishte gjetur në maj të vitit ’45, në rrugicat e Tiranës. Procesverbali i Sigurimit me rrëfimin e Shatkut, pavarësisht përshkrimit telegrafik, zbulon thelbin e historisë mizore. Nexhmija tregon shkoqur para hetuesve se Hatlija i kishte thënë se kishte gjetur në rrugë një letër, e cila bënte fjalë për një mbledhje në shtëpinë e Hasan Zegollit, ku ishte vendosur që tregtarët të mos i dorëzonin floririn qeverisë, por ta ruanin atë për Zogun, kur ai të vinte në Shqipëri, ose t’ia çonin në Greqi. Hatlija i ka thënë asaj se këtë letër ia ka dorëzuar teknikut të shtypshkronjës ushtarake, Refik Bicaj. Më pas, ky i fundit e ka çuar tek organet e Punëve të Brendshme. Nexhmija pohon sakaq, shënon hetuesi në dokument, se Hatlija i ka treguar që disa ditë pas kësaj, një fshatar i ka dhënë një letër që i arratisuri Selman Petrela ia dërgonte Mahmut Saraçit. Këtë letër thotë se ia ka dhënë kushëririt Mahmut Sallaku, për ta dorëzuar tek organet e Sigurimit. Në letër flitej se do të thyhej burgu i Tiranës dhe do të liroheshin të burgosurit. Me aq sa dëshmon para zyrtarëve të autorizuar, shoqja e qelisë bëhet e ditur se Hatlijen e kanë akuzuar si autoren e këtyre letrave me përmbajtje antiregjimit. Ajo pohon se procesi i hetimit rreth këtyre akuzave ka vazhduar ditë e net të tëra. ë kujtesën e dëshmitares ka mbetur rebelimi i papërmbajtshëm përballë torturave çnjerëzore që demonstroi Hatlija. Ajo thotë se nuk ka dijeni për fundin e saj, por mban mend një detaj rrëqethës nga takimi i fundit i Hatlijes me nënën në burg. Gjatë hetimit i kishin hequr të gjithë dhëmbët, shprehet Nexhmija, dhe ajo ia dha të ëmës para se të largohej.

RESHIT SHTËPANI: S’E MORËM VESH KURRË PSE E ARRESTUAN

Reshit Shtëpani, njëri nga veprimtarët e lëvizjes komuniste që operonte në Tiranë, në kujtimet e tij për vitet e luftës, duke iu kthyer historisë së Hatlijes, të cilën e ka njohur nga afër, shprehet i habitur për arsyet e arrestimit të saj. Në një shënim të datës 18 nëntor 1959, duke përshkruar rrethanat si është njohur me Hatlijen dhe nënën e saj, rrëfen momentet që ka kaluar në shtëpinë e tyre. “Ishte fundi i janarit ’44, kur shkova në shtëpinë e tyre për t’u mjekuar ilegalisht, shkruan Shtëpani. Aty gjeta dhe tre shokë të tjerë që mjekoheshin prej kohësh. Nënë Nadirja dhe Hatlija na shërbenin si të na kishin njeriun e tyre. Gjatë qëndrimit aty, mora vesh se ajo ishte një nga bazat e rëndësishme të lëvizjes.

Si Nadirja, edhe Hatlija zhvillonin një aktivitet të guximshëm në dobi të luftës. Në shtëpinë e tyre bëheshin mbledhje të shpeshta të drejtuesve të luftës. Më shpesh vinin aty shoqet Liri Belishova, Nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu dhe shokë të tjerë. Për aq kohë sa qëndrova në atë bazë, jam mrekulluar jo vetëm nga shërbimi i tyre, por edhe nga mënyra si organizoheshin të zotët e shtëpisë për të ruajtur mysafirët dhe për të garantuar jetën e tyre. Kur mora vesh lajmin e arrestimit të Hatlijes, jam çuditur dhe kam menduar se do të ishte ndonjë keqkuptim. Më kërkoi një ditë edhe Ramazani, vëllai i Hatlijes, dhe m’u lut të interesohesha për të mësuar të vërtetën. Bëra ç’është e mundur për të mësuar diçka, por kudo që trokita, s’mësova gjë”.

HAMDI SALLAKU: ZHDUKJA E HATLIJES NË PROCESIN E KOÇI XOXES

Hamdi Sallaku, ish-zyrtar i lartë i regjimit dhe i afërm i familjes Tafani, në një deklaratë të tij të vitit 1949, ka shënjuar për herë të parë emrin e autorit të tragjedisë. “Shokët që kanë marrë pjesë në gjyqin e Koçi Xoxes, pohon ai, më kanë thënë se Koçi është akuzuar si vrasësi i Hatlijes”. Në pjesën tjetër të dëshmisë, Sallaku kujton raportet e Hatlijes dhe familjarëve të saj me liderët e lëvizjes komuniste gjatë luftës. “Shtëpia e tyre, shkruan ai, ishte bazë e rëndësishme ku bëheshin mbledhje e takime ilegale, ku vinin e strehoheshin luftëtarët e plagosur. Unë vetë kam çuar aty shokë të nxjerrë nga burgu dhe të tjerë që i gjurmonte kuestura. Aty jam njohur me dëshmorët Xhevdet Doda e Baba Faja Martaneshi, që e kishin bërë si shtëpinë e tyre. Hatlija me të ëmën u shërbente atyre orë e çast, por edhe merrnin pjesë në çdo demonstratë që bëhej në Tiranë. Në vitin ’44, Hatlija me të vëllain, Ramazanin, dolën partizanë dhe luftuan deri ditën e çlirimit me armë në dorë. Nga mesi i vitit ’45, kësaj familjeje i ndodhi një fatkeqësi e madhe: Hatlija arrestohet nga organet e Sigurimit. Rrethanat e arrestimit të saj nuk u sqaruan kurrë të plota. Ajo kishte gjetur një letër kundër pushtetit dhe kishte ardhur të ma dorëzonte mua në shtëpi.

Aty s’më gjeti dhe ia dha vëllait tim, Mahmutit, i cili sa e lexoi, e dorëzoi në Degën e Brendshme. Thuhej se më vonë u gjetën dhe dy letra të tjera me përmbajtje armiqësore: një po nga Hatlija dhe një tjetër në një shtëpi ku gjoja kishte qenë ajo atë ditë. E akuzuan se i kishte shkruar ajo të tria letrat dhe e arrestuan. E arrestuan dhe e torturuan në mënyrë të tmerrshme. Nëna e saj ruan ende sot dhëmbët e saj që ia kishin shkulur me forcë. Në dhomën që e kishin mbyllur tentoi të mbyste veten, duke pirë ujë me ndryshk hekuri, por e diktuan dhe e çuan në spital. Më vonë prapë e torturuan. Një ditë thanë sikur u hodh vetë nga dritarja e katit të tretë të godinës së burgut (godina ku tani është Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare), dhe theu këmbën e krahun, e operuan thanë dhe vdiq në spital dhe, sipas thënieve të rojës së varrezave, e sollën në një thes dhe e varrosën. Ajo nuk u gjykua dhe çdo gjë përfundoi në heshtje e në mënyrë misterioze. Unë kam bindjen se kjo është vepër kriminale. Hatlija s’kishte pse të hidhej pas disa muajsh kundër asaj për të cilën luftoi me vite; as shtresa shoqërore, as rrethi, asgjë nuk e lidhte me armiqtë”. Panorama