Hyn në fuqi shfuqizimi i super-kontributeve për profesionet e lira

0
251

 

Ka hyrë në fuqi për shkak të botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pagave referencë për efekt të sigurimeve shoqërore ndaj profesioneve të lira. Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 4 të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Në janar të këtij viti, Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41.250 lekë deri 73.800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë te këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të paguanin detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjykata Kushtetuese e argumentoi vendimin e saj, duke gjykuar se është shkelur parimi i barazisë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane “Parimi i barazisë nuk lejon që të njëjtat t’i trajtosh ndryshe dhe të ndryshmet në thelb t’i trajtosh njësoj”.

Ligji, sipas Kushtetueses, nuk mbështetet në kritere të studiuara shkencore dhe nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të njohura përgjithësisht. Kriteret e vendosura janë komplekse dhe jo të përcaktuara mirë, fakte që çojnë në zbatim jo eficient të sistemit. Vlerësimet e bëra nuk janë të mbështetura në një linjë logjike, bazuar në nivelin e të ardhurave dhe fitimeve. Është e pamundur llogaritja e saktë e peshës së çdo kriteri në përcaktimin e pagës referuese, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës.

Gjykata vlerëson se në çështjen në shqyrtim është evidente se masa e kontributit të detyrueshëm është rritur ndjeshëm nga 230% në 350%, si pasojë e parashikimit të kritereve komplekse nga ligji dhe po ashtu të vendosjes nga KM-ja si pagë referuese vetëm të një page fikse në vend të një page minimale dhe maksimale. Kjo zgjedhje e ligjvënësit nuk ka arritur të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim final rishpërndarjen efektive të fondeve të pensionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency