Lëndët narkotike/ Vërshon droga drejt Italisë. Kapen 812 kilogramë marijuanë, u nis nga Orikumi

0
185

Gomonia është e dyta brenda 3 ditësh që niset nga Shqipëria me qindra kilogramë drogë, me destinacion vendin fqinj të Italisë

 

Besar Bajraktaraj

 

Një operacion i përbashkët i policisë shqiptare dhe asaj italiane kundër narko-trafikut ditën e djeshme, bëri të mundur kapjen e një gomone me rreth 812 kg mariuanë. Mësohet se operacioni i drogës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit, në afërsi të Leçes, Itali. Mjeti lundrues u identifikua fillimisht nga ana e shërbimeve të policisë kufitare shqiptare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, teksa udhëtonte në drejtim Lindje-Perëndim. Gomonia ishte ngarkuar me lëndën narkotike në Orikum dhe pak pas mesnate është nisur në drejtim të Italisë. Menjëherë në ndjekje të tij u vunë Njësia e Guardia di Financës në Vlorë dhe Shërbimet e Repartit Special “Delta” dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Financa të Barit.  Ndërsa më pas në vijim të këtij operacioni, Shërbimet e Guardia di Financa, rreth orës 02:10 në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojë dhe të ndalojë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi. Në gomone u sekuestrua sasia prej 812 kg mariuanë e cila ishte e sistemuar në 30 pako të madhësive të ndryshme. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan edhe poseduesit e njëherazi trafikantët e lëndës narkotike, Devi Alieaj, 36 vjeç si dhe Alessandro Begaj, 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës. 3 ditë më parë një tjetër gomone me 682 kg kanabis, që ishte nisur nga Grykëderdhja e Vjosës, u kap në Brindisi falë një operacioni të përbashkët mes policive të dy vendeve. Gomonia 8.5 metër e gjatë ishte nisur nga Ura e Mifolit dhe u ndoq për 6 orë në det nga policia shqiptare, por ndalimi i saj u bë i mundur në Bridizi nga guardia Di Financa, ndërsa trafikantët mundën që të largoheshin. Kjo është gomonia e dytë brenda 3 ditësh që niset nga Shqipëria me qindra kilogramë drogë, me destinacion vendin fqinj të Italisë. Forcat policore shqiptare kanë njoftuar kolegët italianë menjëherë sapo kanë marrë njoftime se mjete lundruese me drogë janë nisur në drejtim të qyteteve italiane. Më e fundit ishte gomonia që u nis nga Orikumi për të mbërritur në Leçe, kurse në datën 19, një tjetër gomone lundroi me rreth 700 kg marijuanë në drejtim të Barit.  Po ashtu ditën e djeshme policia italiane ka dhënë detaje të tjera rreth 120 kilogramëve drogë të kapura në Leçe disa ditë më parë, ku u arrestuan katër shqiptarë. Sipas policisë, mësohet se grupi drejtohej nga Denis Pastraj, 30-vjeç. Ndërsa nga informacioni i shkëmbyer me autoritetet shqiptare, rezulton se shtetasi tjetër, Blerdian Abazi, 28 – vjeç, në Shqipëri është arrestuar për herë të fundit në vitin 2014, në Sarandë, teksa tentonte të trafikonte 55 kilogramë drogë. Autoritet policore shqiptare kanë dhënë informacion dhe për Klajdi Beqirajn dhe Klaus Zenelajn, që rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë në Shqipëri. Të katërt shqiptarët janë me banim në Vlorë dhe dyshohet që në fillim të muajt Gusht të kenë kaluar nga porti i këtij qytetit, sasinë e drogës të fshehur në një automjet. Sipas mediave italiane, patrullat e policisë kanë parë anës detit një furgon “Fiat Iveco Daily” dhe një makinë “Toyota Yaris”, që po dilnin me vështirësi nga balta. Policia gjeti drogën të fshehur në 66 pako. Në kuadër të njëjtit operacion janë arrestuar dhe dy italianët Vito Massimo Guida dhe Oristo Tatti.