Zbulohet marrëveshja Bolino-Veliaj për plehrat e Tiranës

0
218

Carlo Bollino duket se qëndron pas kompanisë italiane që do të marrë me koncesion përpunimin e plehrave në Tiranë. Burime të sigurta pranë qeverisë, deklarojnë për “Boldnews.al” se në mesin e vitit 2014, Bollino ka tentuar në të gjitha format për të afruar në Tiranë kompaninë “AGSM”. Kjo kompani kishte shprehur interes që të merrte me koncension përpunimin e mbeturinave në Tiranë. Në filozofinë e kësaj kompanie përcillej ideja “inovatore” e ndarjes së mbeturinave sipas llojit të tyre. Në fakt, për Shqipëri, kjo lloj ndarje nuk është realizuar ndonjëherë, por thuajse në çdo vend europian, një proces i tillë është rutinor. Pra, “AGSM-Verona” nuk kishte asgjë të veçantë nga kompanitë e tjera. Për më tepër, ministri i financave të kohës Shkëlqim Cani nuk ishte aspak dakord për realizimin e një marrëveshje të tillë koncensionare, pasi kishte dyshime mbi rezultatin ekonomik të saj. Po ashtu, edhe kryebashkiaku i asaj kohe, Lulzim Basha, refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të tillë.

Disa muaj më vonë, në Qershor 2015, një prej penguesve të kësaj marrëveshje, Lulzim Basha, largohet me votë nga pozicioni i kryebashkiakut, duke u zëvendësuar nga pasuesi i kryeministrit Rama, Erjon Veliaj.

Në Shkurt 2016, kryeministri Rama shkarkon nga detyra Shkëlqim Canin, “pengesën” e dytë të marrëveshjes koncensionare. Roli i Bollinos duket se rikthehet fuqishëm. Nëpërmjet shfrytëzimit të lidhjeve të tij në Shqipëri dhe Itali, Bollino duket se realizon projektin e koncensionit për mbeturinat e Tiranës. Ky skenar është bëhet akoma më bindës, pasi “Boldneës.al” mësoi se Bollino është shoqëruesi kryesor i kryebashkiakut Veliaj gjatë vizitës së tij në Verona.

Sipas të njëjtave burime Bollino ishte pjesë e “delegacionit hije” të kryebashkiakut Veliaj në Verona dhe me shumë mundësi është “kumbar” i kompanisë “Eco Tirana”, e krijuar në 22 qershor 2016 dhe është një “joint venture” mes Bashkisë së Tiranës me 51% të aksioneve dhe Bashkisë së Veronas, e cila përfaqësohet nga “HOLDING AGSM ALBANIA”, me 49% të aksioneve. Kompania “HOLDING AGSM ALBANIA” është një kompani publike e Bashkisë së Veronas, ku një prej administratorëve është një tjetër figurë kontroverse në Itali, Andrea Miglioranzi.

Portali “exit.al” e përshkruan Miglioranzin një “neofashist”, nisur nga e shkuara e tij. Sipas “exit.al”, anëtari i Bordit Administrativ të AGSM Holding dhe president i AMIA-s (një nga dy kompanite ortake të AGSM-së) është Andrea Miglioranzi, një personazh i njohur i kronikave politike dhe gjyqësore italiane. Në gjysmën e dytë të viteve ‘90-të Miglioranzi, atëherë eksponent i shoqatës Veneto Fronte Skinheads dhe drejtues i Projektit Kombëtar (lëvizje neofashiste), ishte ndër të parët persona të dënuar me burg në Itali për nxitje të urrejtjes racore”.

E megjithatë, pas një të kaluare jo shumë komode me drejtësinë, Miglioranzi përfshihet në fushatën elektorale, në të cilën zgjidhet si kryebashkiak i Veronas, Flavio Tosi. Dhe ky i fundit nuk ia harron ndihmesën, duke e vendosur një prej administratorëve të kompanisë publike “AGSM Verona”.

Nga e gjithë kjo histori, mbetet për t’u vlerësuar nëse do të realizohet ose jo “profecia” e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka paralajmëruar se ky koncension nuk duhet realizuar, pasi ai rrezikonte financat e Bashkisë. Por, ajo që tashmë dihet është se, pasi u larguan disa nga “kundërshtarët” e projektit, secili në llogoren e tij, projekti është nënshkruar.