“Shumë faleminderit për mundësitë që na dhatë zoti kryeministër”. Kështu iu drejtua Edi Ramës një nga përfaqësuesit e industrisë së riciklimit. E falenderoi për mundësinë që iu dha për t’u shpjeguar shqiptarëve se ai nuk është mafia. Vetë Rama ashtu e prezantoi “ia japim fjalën këtij mafiozit tjetër”, për të relativizuar akuzat ndaj tij se është ai i lidhur me mafian e plehrave, dhe jo ricikluesit.
Asnjë qytetar, gazetar, analist apo media nuk ka akuzuar industrinë ricikluese se është e lidhur me mafian. Por shqetësimi i të gjithëve është se mafia do të përdorë ligjin e Ramës për të futur tonelata plehra të rrezikshme.
Dyshimet janë se mafia është investuar për të bindur Ramën për ta miratuar këtë ligj. Se ku do të përfundojnë këto plehra, në fabrikat e riciklimit apo në landfille e vende të fshehta, kjo mbetet për t’u parë.
Mediat e huaja shkruajnë se disa tonë mbetje radioaktive franceze kanë hyrë në Shqipëri dhe nuk dihet se ku janë groposur. Sigurisht që këto mbetje nuk kanë qenë destinacion për industrinë e riciklimit. Ato, thuhet se kanë hyrë në një kohë kur s’kishte as ligj që lejonte mijëra kontenierë me qindra mijëra tonelata plehra të vërshonin në doganat shqiptare.
Tani, me hapjen e dyerve për plehrat, shqetësimi dhe dyshimet janë rritur se në këto dyer të hapura e të shqyera nga mungesa e kontrollit, do të vijnë tonelata mbetje të rrezikshme. Dhe këto, jo për t’u shndërruar detyrimisht në shishe, qese plastmasi, alumin apo letër edhe pse për këtë s’ka garanci.
Shqetësimi është se këto mbetje do të groposen në Shqipëri duke ndotur kështu, tokën, ujin, bimët, ushqimin dhe më pas gjakun. Ndaj shqetësimi i ricikluesit që falenderon Ramën nën prozhektorët e regjisë kryeministrore se ai në fabrikën e tij do të riciklojë plehrat e mafias, nuk qëndron.
Nëse do të ishin të sinqertë, ricikluesit që shkuan në show-n e kryeministrit duhet ta kishin dërguar atë në gjykatë për dëmin që u shkaktoi duke i lënë 3 vjet pa punë dhe jo të bëheshin pjesë e teatrit të tij. Në këtë mënyrë ata vetëm rrisin dyshimet se kanë ndikuar në mënyra të dyshimta tek kryeministri për të sjellë në Shqipëri edhe plehra që s’u hyjnë fare në punë.
Lapsi.al