Teatri Kombëtar/ Nis sot “My name is Balkan”, vjen në Tiranë dramaturgjia bashkëkohore

0
235

Leximi skenik i dramaturgjisë bashkëkohore “Quhem Ballkan”, do të nisë në orën 18:30, me leximin e veprës “Mihaela, Tigresha e qytetit tonë” dhe në orën 20:30 me veprën “Një zjarrëfikës në oborrin e teatrit”

Starton sot aktiviteti që është titulluar “My name is Balkan” shqip “Quhem Ballkan” që do të mbahet në Teatrin Kombëtar në Tiranë. “Quhem Ballkan”, nën drejtimin e aktores dhe regjisores së mirënjohur Ema Andrea sjell në Tiranë dramaturgjinë bashkëkohore Ballkanike. Për disa ditë me radhë publiku do të ketë mundësi të jetë pranë dramaturgjisë së autorëve të njohur nga Ballkani, veprat e të cilëve do të lexohen në skenë nga aktorët. Një aktivitet, i cili starton për herë të parë në Tiranë sot për të përfunduar më 2 tetor premton të përcjellë më të mirën e dramës për teatrin. Aktorë të njohur të skenës, do të prezantojnë në formën e leximit skenik, të përkthyer në gjuhën shqipe, veprën e njëmbëdhjetë dramaturgëve nga Ballkani. Ky takim i dramës bashkëkohore është një tentativë për të bashkuar dhe për të njohur më shumë shkrimin dramatik të rajonit të Ballkanit. Pjesëmarrësit janë nga Shqipëria, Kosova, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria dhe Greqia. Duke filluar nga data 26 Shtator deri më 2 Tetor, në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Teatrit Kombëtar, do të ketë një kalendar ditor me performancë-leximi skenik nga çdo autor. Këto vepra u përkthyen në shqip nga: Ardian Kyçyku, Nikollë Berishaj, Qerim Ondozi, Romeo Çollaku, Milena Selimi, Shkëlzen Maliqi, Ben Andoni. Sot leximi skenik i dramaturgjisë bashkëkohore “Quhem Ballkan”, do të nisë në orën 18:30, me leximin e veprës “Mihaela, Tigresha e qytetit tonë” nga Gianina Cărbunariu, Rumani. Autorja do të jetë prezent. Kuroi: Ema Andrea. Aktorët performues: Rovena Lule Kuka, Gent Hazizi , Lulzim Zeqja. Perktheu nga origjinali: Ardian Kyçyku.  Aktiviteti “Quhem Ballkan” do të vazhdojë edhe në orën 20:30, me leximin skenik të veprës “Një zjarrëfikës në oborrin e teatrit” nga dramaturgu shqiptar Stefan Çapaliku. Aktorët performues: Neritan Liçaj, Anila Bisha, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Eglantina Cenomeri dhe Guljem Kotorri. Kuroi : Erjona Kakeli.

 

Dramaturgët dhe veprat që do të jenë pjesë e këtij leximi skenik janë:

1- “ Mihaela, Tigresha e qytetit tonë” nga Gianina Cărbunariu

2- “Një zjarrefikës në oborrin e teatrit” nga Stefan Çapaliku

3- “ Një shfaqje teatri me 4 aktore, me disa derra, me disa lope me disa kuaj me nje kryeministër, me nje milka e me disa inspektorë vendas e ndërkombëtar ” nga Jeton Neziraj

4- “ 5 Djelmoshat si” nga Simona Semenič

5- “ Jeta s’luan vendit, jeta vazhdon” nga Filip Vujosevič

6- “Burka e Medeas” nga Andrea Flurakis

7- “Fasule” nga Elin Rahnev

8- “Lasicet” nga Bojana Mijovič

9- “Gërricje apo si u vetëvra gjyshja ime” nga Tanja Šlijivar

10- “Demoni nga Debar- Maal” nga Goran Stefanovski

11- “ Gruaja bombe” nga Ivana Sajko