Aksidentoi për vdekje efektivin e policisë në Kamëz, flet djali i ish-deputetit

0
192

Arnold Kola, i cili u arrestua nga policia pas aksidentit të rëndë me pasojë vdekjen e një efektivi policie, u konstatua se në momentin që drejtonte mjetin ishte në gjendje të dehur.

Burime zyrtare të policisë sqaruan se Kola ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit në masën 0.57mg/l dhe 0.53 mg/l. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ditën e ngjarjes, 22-vjeçari, i cili ishte duke udhëtuar me mjetin tip “Lexus”, ishte duke lëvizur nga Qendër-Kamëz në drejtim të Institutit, kur goditi mjetin e policisë, e konkretisht atë të komisariatit numër 5, i cili ka qenë në patrullim në të njëjtin sens lëvizjeje. Burime pranë policisë thanë se teksa i riu është marrë në pyetje nga uniformat blu, ka shfaqur pendesë për rastin tragjik që kishte shkaktuar.

“Kam parë dritat e makinës që kisha përballë. Isha me shpejtësi. Edhe pse u mundova të frenoja, nuk munda”, ka thënë ai para oficerëve të policisë, teksa ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike. Burimet e sipërpërmendura thanë më tej se i riu ka tentuar të parakalojë automjetin e policisë, por si pasojë e humbjes së kontrollit, ai e ka përplasur atë.

Nga hetimi rezultoi se djali i ish-deputetit ishte duke lëvizur mbi 130 km/orë. 22-vjeçari Kola është person i njohur për policisë, pasi edhe më herët ka qenë i arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ndërsa, vetëm pak ditë më parë ai ka përfunduar dënimin me kusht që i ishte vendosur nga drejtësia shqiptare për shkak se nuk ka qenë i dënuar më parë dhe se vijonte të ndiqte studimet e larta. /Gazeta Shqiptare/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency