Gazetari Artan Hoxha ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për kërcënimin e Kryeprokurorit të Republikës, Adriatik Llalla për të cilin tha se nuk është në nivelin e kërcënimeve të prokurorëve të mëparshëm. Hoxha tha se Kryeprokurori duhet të kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet kushtetuese në vend dhe të mos shmangte procedurat që parashikon ligji. Ndërkohë Hoxha ka deklaruar gjithashtu se një deputet i komisionit parlamentar të sigurisë ka zhvilluar dje një takim në burgun 302, ku ndodhet edhe Dritan Dajti, i akuzuar si kapobandë dhe autor i një masakre të pesëfisht më 7 gusht të vitit 2009 në qytetin e Durrësit, 4 prej viktimave policë.
Po në të njëjtin burg ndodhet edhe Kastriot Ismailaj. Deputeti në fjalë ka deklaruar se do të takonte ish-zv.drejtorin e Burgjeve, Iljaz Labin, i cili u arrestua për korrupsion.
Çfarë dimë për hetimet në lidhje me kërcënimet?
Prokuroria i ka nisur hetimet që para 4 muajsh. Ka një kallëzim të kryeprokurorit. Është hapur procedim penal.
Grupi hetimor është një grup i ngushtë. Njerëz të afërt që kanë një pozicion dhe janë në kontakt me kryeprokurorin, njerëz të besuar të tij. Ky informacion është mbajtur për 4 muaj sekret, i fshehtë deri kur ka rrjedhur nga brenda grupit hetimor. Fakti që e kanë mbajtur për 4 muaj këtë gjë të rëndësishme do të thotë se ata kanë operuar mirë deri kur ka rrjedhur informacion. Që kur është bërë publik informacioni, kemi një çështje, ka pasur edhe një reagim nga kryeprokurori që as nuk e pohon dhe as nuk e mohon.
Ndërkohë kryeprokurori ruhet me masa të rrepta sigurie…
Një nivel i tillë masash sigurie, që tek dyert e makinës, që tek eskorta që e shoqëron. Me legjislacionin shqiptar kryeprokurori ruhet me 8 truproja në situatë normale, Presidenti me 16. Kryeministri dhe Kreu i Kuvendit me 12 truproja.
Në një situatë të tillë sa shkon?
Kjo është në bazë të alertit. Këto pamje (takimi me homologun maqedonas në Korçë) dëshmojnë se kryeprokurori është një njeri që ka siguri. Asnjë prokuror nuk është goditur për 25 vite. Ka pasur kërcënime edhe më të rënda. Ka edhe gjyqtarë, Skerdilajd Konomi që nuk është vrarë për shkak të detyrës por për motive të tjera. Deri tani nuk ka autor dhe siç janë gjasat nuk ka për të pasur autor.
Ish-prokurorit Martini i është vendosur lëndë eksplozive, ish-prokurorit Sollaku i është ekzekutuar shoferi në bulevard dhe janë dënuar perona konkret. Kjo ngjarje nuk e ka nivelin e kërcënimeve që e kanë pasur prokurorë të mëparshëm.
Jemi në 2016, vjen një kërcënim serioz në drejtim të kryeprokurorit dhe largon familjen. Çfarë sigurie ka një qytetar? Kjo është trishtuese. Njeriu simbol i qëndresës në këtë vend, njeriu që garanton qytetarët, familjet e tyre, bizneset e tyre për mua është Prokurori i përgjithshëm. Nëse Kryeprokurori i vendit tim nuk kërkon mbrojtjen e institucioneve kushtetuese kur ai ndihet në rrezik dhe duke shmangur të gjitha procedurat që parashikon ligji, atëherë është me të vërtetë trishtuese./ BW