Deputetit shqiptar i qarkut Lezhë, Eduart Ndocaj i njohur ndryshe si “Kaubojsi” është rrahur keq nga dy persona në fshatin Landovicë, afër qytetit të Prizrenit. Kështu shkruan portali Blic, i cili deklaron se autorët e agresionit kanë qenë dy trafikantë. “Ndocaj ka qenë në Pejë dhe duke u kthyer nga Peja, është ndalur në Landovicë të Prizrenit. Aty e kanë rrahur dy persona, që janë të njohur për Policinë si persona të dyshuar për trafikim me narkotikë”, tha ky burim i Gazetës Blic brenda Policisë.
Personat që kanë sulmuar deputetin shqiptar janë të njohur për Policinë, shkruan Gazeta Blic. “A.V nga Kukësi, me banim në Prizren dhe I.B nga Prizreni”, tha burimi. Portali thekson se bashkë me deputetin Ndocaj, në veturë ka qenë edhe këngëtarja e njohur E.A., një personazh i njohur nga Shqipëria. Nga policia ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht rastin.
Reagimi
Nga ana tjetër deputeti Ndocaj tha për Balkanweb se ka qenë në Kosovë, saktësisht në Pejë më 25 shtator dhe ka ndenjur gjysmë dite pasi i është dhënë çmimi ‘Politikani i vitit” në një spektakël. Por ai mohon çdo informacion tjetër dhe se mund të ketë pasur përplasje. “Kam qenë në Kosovë por nuk kam pasur asnjë përplasje fizike. Kam marrë çmimin “Politikani i vitit” në Pejë në një spektakël. Kam pirë kafe me një gazetar dhe asgjë më tepër.
Nuk më ka dalë asnjë person përpara, është mashtrim. Kam qenë me këshilltarin tim dhe shoferin”, tha Ndocaj për BalklanWeb. I pyetur nëse ky lajm ka sjellë ndonjë shqetësim në familjen e tij, Ndocaj tha se nuk ka pasur asnjë lloj reagimi pasi ky është një mashtrim. “Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga familja sepse është mashtrim. Është sulm politik”, deklaroi Ndocaj.