Sem Allardajs është shkarkuar nga drejtimi i kombëtares angleze të futbollit vetëm 67 ditë pasi ishte emëruar në atë që e cilësoi si “punën e tij të ëndrrave”.
Allardajs zhvilloi gjatë pasdites së sotme biseda me drejtues të Federatës Angleze duke dhënë më kot shpjegime, pasi u filmua nga kamerat e fshehta të “The Telegraph”, duke dhënë sugjerime se si gazetarët, të cilët pretendonin se ishin biznesmenë nga Lindja e Largët, mund të thyenin rregullat për transferimin e lojtarëve.
Sipas “Daily Telegraph”, materiali në fjalë i është kaluar edhe policisë, e cila mund të vendosë të procedojë penalisht tashmë ish-trajnerin e Anglisë.
Pritet që drejtimin e “tre luanëve” ta marrë Garet Sauthgeit, i cili do të jetë në këtë post për ndeshjet e javëve të ardhshme kundër Maltës dhe Sllovenisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2018.