Bruksel/ Manjani e Gjosha kërkojnë nga BE çeljen e negociatave

0
169

Marrja e rekomandimit për çeljen e negociatave nga Shqipëria për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian ka qenë kryefjala e dy ministrave, asaj të Integrimit, Klajda Gjosha dhe atij të Drejtësisë, Ylli Manjani. Dy ministrat ndodhen për një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërsa zhvilluan një  takim me Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Europian.

Në fokus të këtij takimi ishin reforma në drejtësi, arritjet që Shqipëria ka bërë me 5 prioritetet si dhe pritshmëritë për marrjen e një rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave pas pak javësh kur pritet të publikohet raporti i Komisionit. Ministrja Gjosha e njohu grupin e punës me masat konkrete që janë marrë për plotësimin e 5 prioriteteve, duke ritheksuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të ecur përpara me procesin e integrimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ajo çka ju paraqesim sot duhet të ndiqet nga një punë akoma dhe më e madhe në vazhdim. Jemi të vendosur të ecim me hapa solidë dhe të sigurt, duke ditur kompleksitetin e procesit, dhe faktin që është i bazuar mbi meritën e secilit vend që do të jetë pjesë e BE-së. Por nga ana tjetër ne jemi të bindur se kemi bërë hapa përpara”, tha Gjosha. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Ministrja Gjosha u shpreh se kjo reformë historike e miratuar me konsensus, i shërben së pari qytetarëve shqiptarë, e gjithashtu ka qenë çelësi i shumë kërkuar për hapjen e negociatave.

“Reforma në drejtësi është një reformë që do të mundësojë transformimin e Shqipërisë, jemi të ndërgjegjshëm se ky transformim do të kërkojë kohën e vet, por ne duam ta arrijmë këtë nëpërmjet procesit të integrimit, duke krijuar një dialog të ri me Bashkimin Europian, përmes hapjes së negociatave pikërisht me kapitujt 23 dhe 24 të cilët lidhen ngushtësisht me shtetin e së drejtës”, tha Ministrja Gjosha, duke theksuar sërish se Shqipëria shpreson në një  progres-raport pozitiv në vjeshtë dhe në marrjen e një rekomandimi.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, duke e cilësuar gjithashtu reformën në drejtësi më të rëndësishmen e dy dekadave të fundit u shpreh se kjo reformë është një arritje shumë e madhe për vendin. “Ndryshimet kushtetuese janë një tregues që nuk ka më kthim mbrapa për ne. Kjo na jep të drejtën të kërkojmë rekomandimin. Ka ardhur momenti që ta trajtojmë çështjen me sinqeritet dhe besim të ndërsjelltë”, tha Ministri Manjani.

Ministri u shpreh se ndryshimet konsensuale janë një premisë shumë pozitive që jep garanci për implementimin e suksesshëm të reformës në drejtësi, si një ndër prioritetet kyçe të përmbushura. Grupi i punës e përgëzoi arritjet e deritanishme dhe përpjekjet e Shqipërisë për miratimin e reformës ne drejtësi si dhe e quajtën të jashtëzakonshëm faktin që ajo u kalua me sukses.