Dita e Turizimit, në fokus fëmijët/ Ministrja Milva Ekonomi: Akses për të gjithë në turizëm

0
275
Dita Botërore e Turizimit/ Ministrja Milva Ekonomi: Mesazhi kësaj dite, akses për të gjithë në turizëm
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, sëbashku me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, në kuadër të 27 Shtatorit, Ditës Botërore të Turizmit, zhvilluan një aktivitet pranë kalasë së Tiranës.
Në fokus ishin fëmijët. Nëpërmjet një foto ekspozite ata u njohën me atë çfarë ofron natyra shqiptare.
Ministrja Ekonomi në fjalën e saj u shpreh se “Dita Botërore e Turizmit dhe mesazhi i kësaj dite është “Akses për të gjithë në turizëm”.
Por përse ishin zgjedhur fëmijët për këtë event?
 
Ministrja Ekonomi tha: “Për të gjithë ata që nuk kanë mundësi fizike për të shijuar bukuritë, qoftë këto bukuritë natyrore , ato të trashëgimisë të kulturore përfshi ato që jep një sport i veçantë dhe të tjera që lidhen me natyrën që të ofron e gjithë Shqipëria, ne menduam se ky është një mesazh i mirë për t’i dhënë një atraksion të vogël për ta parë Shqipërinë nga këto foto dhe një teatri lëvizës për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë mundësi të shkojnë dhe të shijojnë diçka të natyrës dhe të jenë pranë një atraksioni turistik”.
Ministrja Ekonomi u shpreh se “dita ndërkombëtare e turizmit është një ngjarje e rëndësishme dhe prandaj menduam ta ndajmë në këtë formë” .
Ministrja Ekonomi theksoi se janë zhvilluar edhe disa aktivitete të tjera që lidhen me promovimin e mëtejshëm të Shqipërisë Turistike në botë duke komunikuar edhe me të tjerë anëtarë të forumeve ndërkombëtare për këtë ngjarje dhe gjithashtu ministria vetë synon që ta vazhdojë ditën ndërkombëtare të turizmit duke promovuar disa zona të tjera turistike në të gjithë Shqipërinë deri në fund të kësaj jave që jemi.
“Jemi në diskutim- tha Ministrja Ekonomi- edhe me Ministrinë e Arsimit për të përdorur atë që njihet si gëzimi natyrës nga ana e grupmoshave para shkollore dhe shkollimit të hershëm duke përdorur produktet turistike që janë ndërtuar deri më tani.Ne kemi vizituar shtigjet e Malit të Dajtit dhe duam të rikthejmë tek fëmijët të shijojnë natyrën jo vetëm në Dajt. Kemi plot zona në Theth, në Tropojë, në Pukë, në Malësi të Madhe dhe Malësinë e Jugut dhe për të gjitha këto po përpiqemi të krijojmë mundësi që të jenë të prekshme dhe të frekuentuara për fëmijë”, tha ajo.
 
Turizmi për të gjithë
Që nga krijimi i saj, Dita ndërkombëtare e turizmit është zhvilluar në 27 shtator të çdo viti për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare për rëndësinë e turizmit, si edhe për nxjerrë në pah rëndësinë e tij nga pikëpamja shoqërore, kulturore, politike apo ekonomike. Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 27 shtatori është shpallur zyrtarisht dita e turizmit, me qëllim që t’i vihet theksi mënyrës se si mund të kontribuojë ai për realizimin e objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për t’u dhënë zgjidhje sfidave më urgjente.
Dita botërore e turizmit 2016 zhvillohet zyrtarisht sivjet në Bangkok, Tailandë, por aktivitete të shumëllojshme për turizmin për të gjithë zhvillohen në të gjithë botën dhe natyrisht edhe Shqipëria nuk bën përjashtim, kur dihet që turizmi ka një rëndësi gjithnjë e më të madhe në ekonominë e vendit.
Aksesi për të gjithë
Të sigurohet turizmi i aksesueshëm për të gjithë do të thotë të krijohen kushtet e përshtatshme për t’iu përgjigjur nevojave të të gjithëve. Një aftësi e kufizuar, qoftë edhe e përkohshme, udhëtimi me fëmijë në moshë të vogël apo plakja e popullsisë janë disa arsye që bëjnë që në një moment të jetës sonë, të gjithë ne të përfitojmë nga aksesi për të gjithë në sektorin e turizmit.
Prandaj ne duhet të mbrojmë të drejtën e të gjithë qytetarëve për të përfituar nga larmia e pabesueshme e natyrës, kulturës, historisë së vendit tonë.
 
Trendi i turizmit
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, në vitin 2015, numri i turistëve në botë arriti në 1 miliard e 184 milionë, ndërsa parashikohet që në vitin 2030, numri i turistë të kalojë shifrën 2 miliardë, por natyrisht që ky numër do të jetë edhe më i madh, nëse i shtohen shifrat e turistëve vendas.
Kjo rritje e madhe e turizmit është shoqëruar me një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh për ndikimin pozitiv të turizmit në shumë fusha të jetës. Pa harruar disa nga ndikimet apo efektet negative të turizmit, duhet theksuar se turizmi ndikon në nxitjen e vlerave njerëzore, pasi ai krijon mundësitë për të pushuar, për të krijuar njohje reciproke midis popujve dhe kulturave. Ai është një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, ndihmon për paqen dhe dialogun, krijon kushte dhe mundësi për edukimin dhe zhvillimin individual, për kontaktin me natyrën dhe zhvillimin shpirtëror, për të përmendur vetëm disa nga karakteristikat e tij pozitive.
Koncepti i turizmit për të gjithë
Pikërisht kjo është arsyeja pse inkurajohet “turizmi për të gjithë” në nivel ndërkombëtar. Turizmi për të gjithë përbëhet nga “turizmi i aksesueshëm”, “turizmi i qëndrueshëm”, “turizmi social”.
Me “turizmin e aksesueshëm” nënkuptohet përpjekja për të garantuar që destinacionet dhe shërbimet turistike të jenë të aksesueshme për të gjithë, pavarësisht nga profili kulturor, kufizimet e përhershme apo të përkohshme (fizike, mendore apo shqisore) apo nga nevojat e veçanta, si, për shembull, ato të fëmijëve dhe të moshuarve.
Koncepti i “turizmit të qëndrueshëm” është përpjekja për të arritur që ky aktivitet njerëzor të respektojë sa më shumë larminë kulturore dhe mjedisore të vendit pritës, duke pasur parasysh pasojat e turizmit në të tashmen dhe të ardhmen.
Nëpërmjet “turizmit social” synohet që të mos përjashtohen nga turizmi ata që i përkasin një kulture të ndryshme, që kanë më pak burime ekonomike apo që jetojnë në zona më të pafavorizuara. Në këtë grup bëjnë pjesë të rinjtë, familjet me shumë fëmijë, personat me kufizime fizike dhe personat e moshuar, siç thuhet në Kodin botëror të etikës së turizmit.
Prandaj, duhet të promovohet një “turizëm për të gjithë”, i cili duhet të jetë etik dhe i qëndrueshëm, ku të garantohet një akses real fizik, ekonomik dhe social, duke shmangur çfarëdolloj diskriminimi.
Një objektiv i tillë mund të arrihet vetëm nëpërmjet përfshirjes së të gjithëve: politikanëve, biznesit, konsumatorëve, si edhe shoqatave që veprojnë në këtë sektor.
Kushtet për aksesin e turizmit për të gjithë
Literatura dhe materialet e tjera promocionale që përdoren në turizëm, duhet të japin të dhëna të qarta për shërbimet dhe mjediset e aksesueshme nga persona me aftësi të kufizuara, mundësisht me simbole të thjeshta ndërkombëtare.
Zonat e pritjes turistike duhet të ofrojnë material informues për shërbimet mbështetëse për turistët me aftësi të kufizuara.
Sistemet e rezervimit duhet të kenë të dhëna të sakta për mjediset dhe shërbimet e aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të sigurojnë informacion të qartë dhe të lehtësojnë procedurat e rezervimit.
Sistemet e rezervimit, si për shembull, website-t e hoteleve apo agjencive, duhet të jenë të aksesueshme nga të gjithë.