Meta pret zv. Kryeministrin e Maqedonisë: Stabiliteti politik i shërben shqiptarëve në vendin fqinj

0
192

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë Festim Halili, i cili shoqërohej prej Ministres së Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi.

Kryetari i Kuvendit z. Meta u uroi suksese z. Halili dhe znj. Elezi në punën e tyre dhe vuri në dukje se zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë e cila është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjatë të ndërlidhjes rajonale.

Në këtë kuadër u theksua se stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Zv. Kryeministri i Maqedonisë Festim Halili vlerësoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryetarit Meta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje dhe nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore si Korridori 8 janë vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve tona. Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit.