Festivali Ndëkombëtar i filmit për të drejtat e Njeriut, Kryeparlamentari: “ Do të ishte një shpresë e madhe që Reforma në Drejtësi të ketë një zbatim të suksesshëm”
Kryeparlamentari Ilir Meta priti ditën e djeshme, në një takim ish Kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, i cili shoqërohej nga eurodeputeti Knut Fleckestein dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schutz. Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit, i shprehu ish – kancelarit, mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen e Gjermanisë ndaj zhvillimit ekonomik dhe avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Duke u ndalur tek miratimi i reformës në drejtësi, kancelari Schroeder deklaroi se Gjermania do të mbështesë avancimin e Shqipërisë drejt procesit të nëgociatave për anëtarësimin në BE. “Ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të marrë vendimet e duhura, por edhe t’i zbatojë ato,” – u shpreh ish kancelari, ndërsa nënvizoi se ka arsye të mjaftueshme për të qenë pozitivë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit. Ndërkohë numri një i Kuvendit, theksoi se reforma në drejtësi duhet pasuar nga dekriminalizimi total i jetës politike dhe parlamentare. “Legjitimiteti i reformës në drejtësi që buroi nga arritja e konsensusit gjatë muajit korrik duhet pasuar nga një proces thelbësor i dekriminalizimit total të mbarë jetës politike e parlamentare shqiptare me qëllim që në parlamentin e ardhshëm të sigurohet integriteti dhe përfaqësimi i duhur e dinjitoz i popullit shqiptar”. Schroeder dhe Meta ndanë bindjen e përbashkët se duhet punuar më shumë për të evituar çdo retorikë konfliktuale dhe për të rritur besimin mes palëve, veçanërisht në trajtimin e çështjeve madhore të integrimit evropian. Në përfundim, ish- kancelari gjerman dhe kryeparlametari Meta diskutuan rreth i situatës ekonomike në rajon, ku u vlerësua Procesi i Berlinit dhe rëndësia e avancimit të projekteve të ndërlidhjes rajonale, të cilat do të sjellin më shumë investime dhe do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit rajonal
Qëndrimi
Kryeparlamentari Ilir Meta, deklaroi dje se, do të ishte një shpresë e madhe, që reforma në drejtësi të ketë një zbatim sa më të sukseshëm. Deklaratat e kreu të Kuvendit, u bënë gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, e cila u mbajt në sallën e seancave plenare, ku u organizua shfaqja e filmit dokumentar Hollandez “Një histori Përndjekëse”.”Shpresoj që të jetë më e lehtë për të gjithë ata shqiptarë që kanë studiuar gjatë këtyre 26 viteve në Britani, SHBA, Evropë dhe kudo, për drejtësi dhe fusha të tjera, për të realizuar ato ëndrra dhe aspirata që ato kanë falë një kulture dhe edukimi të niveleve më të larta. Kjo do të ishte një shpresë e madhe që reforma në drejtësi, për të cilën aq shumë ende vazhdojmë të diskutojmë, të ketë një zbatim sa më të suksesshëm”, – u shpreh numri Një i Kuvendit. Në këtë aktivitet morën pjesë deputetë, pedagogë dhe studentë nga Shkolla e Magjistraturës, gjyqtarë e prokurorë.