Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi të enjten se rritja e të ardhurave gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti me mbi 190 milionë dollarë, përbën një mundësi për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Duke folur në seancën plenare të së enjtes mbi situatën ekonomike në vend, Ahemtaj tha se tashmë ekonomia ka hyrë në trend rritës dhe kjo sipas tij, nuk konfirmohet vetëm nga autoritetet shqiptare, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare si BB (Banka Botërore) apo WEF (Forumi Ekonomik Botëror).
Ekonomia, tha Ahmetaj, realisht po shkon mbi 3.5 %. “190 milionë dollarë më shumë janë të ardhurat gjatë tetëmujorit. Dhe këto të ardhura u rritën në një kohë kur nuk ka ndryshuar niveli i taksave. Kjo situatë ofron një mundësi të madhe të rritjes së pagave e pensioneve, që ju i referoheni”, iu drejtua ministri Ahmetaj opozitës, qe përmes deputetes Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin mbi investimet në vend.
“Të hedhësh baltë mbi atë që bëhet mirë është antikombëtare”, tha Ahmetaj, duke e ftuar opozitën të diskutonte me konstruktivitet mbi çështjet që realisht pengojnë zhvillimin ekonomik.
Ministri tha se investimet e huaja në vend gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti llogariten 261 milionë euro dhe ky sipas tij, është tremujori i dytë më i mirë në 20 vitet e fundit. Ahmetaj i kujtoi opozitës edhe nivelin e lartë të borxhit publik kur u largua nga qeverisja. “E latë 83 %, sot është 71.8 % dhe vitin tjetër do të shkojë në 70. 5 %”, tha ministri.
Ministri po ashtu pranoi se kreditimi përbën problem. Kreditimi për individët, tha ai, është rritur edhe me shifra të konsiderueshme, por problem është kreditimi i korporatave. Për të përmirësuar këtë situatë, Ahmetaj tha se rol pozitiv kanë edhe ligjet e reformës që kanë të bëjnë me sistemin bankar, si ai i Falimentit, Kodi Civil, etj. Ndaj, ai ftoi opozitën të bashkonte votat me maxhorancën për kalimin e tyre.
Këto ligje, shpjegoi Ahmetaj, prekin thelbin e asaj që ndodh me kolateralin.