Grupi Parlamentar i PD-së doli me një qëndrim të unifikuar për të kërkuar referendum për importin e mbetjeve në Shqipëri. Kreu i kësaj force politike Lulzim Basha tha pas mbledhjes se pyetja që do t’u shtrohet qytetarëve është: “A jeni dakord për lejimin e importit të mbetjeve në vend?”
Sipas asaj që shkruan sot gazeta “Panprama” ish-ministri i Financave Ridvan Bode i ka kujtuar kreut të opozitës se riciklimi dhe importi i mbetjeve përgjithësisht në botë janë çështje të së majtës. Por në grup ka mbizotëruar ideja se, për aq kohë sa ka një reagim qytetar pasi është prekur interesi publik, Partia Demokratike të mos rrijë larg protestave dhe reagimit qytetar.
Sipas deputetit Arben Imami, opozita tashmë është brenda asaj proteste me të gjitha qëndrimet dhe deklaratat e mbajtura në lidhje me importin e mbetjeve. Edhe deputeti Astrit Patozi ka kërkuar që PD të mbështesë reagimin qytetar për të kundërshtuar ligjin për importin e mbetjeve.
Patozi deklaroi se nuk ka vlerë diskutimi nëse çështja e mbetjeve dhe riciklimi i tyre është çështje që i përket të djathtës apo jo. Patozi solli në vëmendje mbrojtjen e hekurt që Kryeministri Rama, si rrallë ndonjëherë, i ka bërë këtij ligji, për të treguar se ai vetë është përgjegjës për një krim që po i bën shoqërisë shqiptare.
DEBATI
Lulzim Basha: Për aq kohë sa ne jemi pozicionuar në favor të interesit publik, duke pranuar publikisht se vendimi që kemi marrë në 2011-n për të sjellë këtë ligj ka qenë i gabuar, është e nevojshme që të mbrojmë interesin e qytetarëve. Kërkoj edhe mendimin e gjithsecilit prej jush për mënyrën se si duhet t’i qasemi kësaj çështjeje. Ne do të mbledhim firmat dhe do të kërkojmë referendum për çështjen e mbetjeve. Referendumi është plotësisht i mundur për t’u realizuar. Si juristë e kemi konsultuar edhe me Oerdin dhe nuk ka asnjë pengesë për të kërkuar mendimin e qytetarëve për një çështje që është kaq sensitive për ta dhe që, sigurisht, kërkon mbështetjen e opozitës.
Ridvan Bode: Në botë, përgjithësisht, këto janë beteja apo aksione politike të organizuara nga e majta. Të forcave ekologjiste, të partive të gjelbra, të cilat kanë një ideologji të majtë. Nuk e di se sa përshtat na vjen ne si Parti Demokratike të përfshihemi në këtë çështje. Megjithatë, në mënyrën se si është i ndërtuar realiteti politik në Shqipëri, nuk është se forcat politike ecin mbi bazë të ideologjive të tyre për ta interpretuar ndryshe këtë angazhim tonin.
Lulzim Basha: Përderisa PD është një forcë e lindur si një forcë që ka parë interesin e publikut, çdo kauzë që mbron këtë interes është e vlefshme. Referendumi është një akt demokratik që do t’u japë mundësi të gjithë qytetarëve të shprehen nëse janë pro apo kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Nëse do të arrijmë të procedojmë me shpejtësi për këtë çështje, në muajin mars do të mund të realizojmë referendumin për këtë çështje.
Asllan Dogjani: Unë gjykoj se Partia Demokratike duhet të jetë në protestën që është lajmëruar se do të zhvillohet më 1 tetor. PD duhet të jetë jo vetëm në këtë protestë, por në çdo protestë ku preket interesi i qytetarit. Në rastin në fjalë, kemi një reagim të ashpër popullor për një çështje që vetë qeveria premtoi se do ta zgjidhte në fillim të mandatit të saj. Pastaj, se si do të jetë prezenca jonë në këtë protestë, mund ta diskutojmë. Sepse kemi dëgjuar edhe se kjo pjesëmarrje e jona shihet si e padëshiruar nga shoqëria civile. Ky nuk është problem, gjykoj unë, pasi secili prej nesh mund të sjellë në atë protestë njerëz, të cilët të mbështesin atë kauzë.
Arben Imami: Ne duhet të përcaktojmë nëse çështja për importin e mbetjeve të plehrave është çështja jonë apo jo. A përbën kjo një politikë të së djathtës? Nëse e përcaktojmë se kjo është çështja jonë, atëherë nuk ka sens që ne të qëndrojmë larg protestës dhe angazhimit qytetar. Pa dyshim është e ditur se ka një komunikim me këta protestues dhe me këto grupe interesi dhe se ata kërkojnë që këtë kauzë ta mbajnë larg politikës. Por pjesëmarrja jonë si ligjvënës nuk është e vetmja formë që opozita mund ta mbështesë atë reagim qytetar. Ne jemi brenda asaj proteste edhe duke mos qenë në bulevard atë ditë. Ne jemi në atë protestë me të gjitha deklaratat politike që mbahen në këtë seli, me të gjitha qëndrimet publike që kemi mbajtur ndaj atij ligji.
Astrit Patozi: Për aq kohë sa është një çështje që prek qytetarin shqiptar, kjo është një çështje që na përket edhe ne si opozitë. Nuk ka vend në një situatë të tillë dhe me këtë lloj qeverisjeje të jemi të ndarë, nëse çështjet kanë karakter të majtë apo të djathtë. Ne duhet që t’i bashkohemi reagimit qytetar për një çështje që jo vetëm i shërben opozitës për të ndërtuar një betejë politike, por, mbi të gjitha, që fshin konceptim e moralit politik dhe që rrezikon të bëjë pis në çdo kuptim Shqipërinë. Jemi përballë një qeverie të kapur në faj, të kapur në krim, e cila po mundohet me çdo kusht ta fshehë atë. Kurrë s’e kemi parë Edi Ramën të jetë kaq shterues në shpjegimet e tij për vendime që i ka marrë dhe i ka lënë pas vetes. Është e qartë se edhe ai vetë e di se është zënë duke bërë një krim./panorama/