Zbardhet skema e mashtrimit, si i ‘braktisin’ fëmijët shqiptarë në Itali

0
193

Dhjetëra fëmijë minorenë, që futen në Itali ligjërisht si turistë, të shoqëruar nga persona të rritur, nuk largohen asnjëherë nga shteti fqinj, pasi ‘braktisen’ nga shoqëruesit e tyre, në dyert e prokurorisë, policisë, apo institucioneve të tjera.

 

Autoritetet italiane kanë zbardhur skemën e mashtrimit të shqiptarëve, të cilët për të siguruar qëndrimin dhe studimin e fëmijëve të tyre në Itali, paguajnë trafikantë për t’i braktisur në rrugët e Italisë, me qëllim që të merren në mbrojtje nga shërbimet sociale, që u sigurojnë ushqim dhe arsimim.

Në përfundim të hetimit, Prokuroria në Forli të Italisë ka denoncuar 66 shqiptarë, mes të cilëve 41 maxhorenë dhe pjesa tjetër minorenë, të cilët dyshohet se janë të implikuar në “trafikun e çuditshëm” të fëmijëve në Itali.

41 shqiptarët maxhorenë akuzohen për favorizim të emigracionit klandestin, mashtrim të rëndë, dhe braktisje të të miturve, ndërsa 25 minorenët akuzohen për bashkëpunim në mashtrim.

Sipas hetuesve italianë, trafikantët kishin vënë në zbatim një skemë të paligjshme, duke u favorizuar nga legjislacioni italian i emigracionit, që parashikon asistencë për të miturit e pashoqëruar.

Fëmijët shqiptarë, sapo mbërrinin në Itali, trokisnin në dyert e institucioneve, duke thënë se i kishin braktisur dhe nuk kishin asnjë të afërm ku të qëndronin. Komunat ku ‘braktiseshin’ fëmijët duhet të përballonin me fondet e tyre fjetjen, ushqimin dhe edukimin e tyre, derisa të arrinin moshën madhore, kur mund të siguronin dhe leje qëndrimi në Itali.

Hetimi nisi pas shtimit të dyshimtë të rasteve të fëmijëve shqiptarë ‘të braktisur’ në Itali.BW