Pas “Guidos” në Ishëm/ Zbulohet laboratori i drogës në Mat, gjenden mbi 3 ton hashash

0
224

 

Besar Bajraktaraj

 

Një sasi prej 3 tonë e 132 kg drogë e llojit hashash është sekuestruar ditën e djeshme nga Policia e Matit, pas një operacioni të gjerë anti-kanabis në këtë zonë. Droga është gjetur e paketuar në një magazinë, në fshatin Rremull, ku ishte instaluar edhe një laborator për tharjen e lëndës narkotike. Sipas burimeve të policisë hashashi ishte i gatshëm për t’u hedhur në treg.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se magazina ku u gjet laboratori dhe sasia e drogës është në pronësi të shtetasit Shpëtim Lika, i cili është banor i fshatit Rremull, të rrethit të Matit. Ai është shpallur në kërkim nga policia. Grupi hetimor dyshon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, të cilët veprojnë në zonën e Matit me kultivimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë, burime nga Prokuroria bëjnë me dije se poseduesit e drogës së sekuestruar janë të afërm të disa efektivëve të Policisë së Matit si dhe të punonjësve të Njësisë Administrative Rukaj. Zbulimi kësaj sasie lënde narkotike në Mat mësohet se ka ardhur pas 12 ditësh hetime dhe përgjime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Përveç sasisë gjigante të lëndës narkotike hashash policia gjeti dhe asgjësoi edhe 1400 rrënjë kanabis të mbjella në një parcelë toke pranë vendit ku ishte ngritur laboratori i drogës. Sekuestrimi i kësaj sasie të madhe droge vjen pak ditë pasi dhe në Ishëm të Durrësit u zbulua laboratori i drogës ku u sekuestruan 300 kilogramë lëndë narkotike. Laboratori i drogës ndodhej në afërsi të vendit ku ra avioni me pilotin italian Guido Guidi i cili dyshohej se kishte ardhur në Shqipëri për trafikim lëndësh narkotike. Lidhur me operacionin e zhvilluar nga policia e Matit ditën e djeshme ka reaguar edhe policia e Shtetit. Kështu në një deklaratë për mediat policia deklaroi: “Më datë 29. 09. 2016, sipas planit të operacionit me nr. 319, të datës 26. 09. 2016 të Komisariatit të Policisë Mat është shkuar për kontroll teritori për të kontrolluar për kultivimin e bimëve narkotike, ku gjatë kontrollit në territorin e fshatit Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat vendi i quajtur Përroi i Kurvajës janë konstatuar 4 ( katër) parcela ku ishin kultivuar gjithsej 4020 rrënjë bimë të dyshuara si bimë narkotike canabis sativa, të cilat u asgjësuan në vend me anë të djegies. Po ashtu gjatë kontrollit në fshatin Rremull në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika në përrua është gjetur një hangar i ndërtuar me shtylla druri ku brenda tij kishte të varura për tu tharë një sasi degësh të dyshuara si degë bime Cannabis Sativa, si dhe 100 metra më lart tek një banesë e pa banuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet dhe një sasi tjetër degësh bimë narkotike që ishte vendosur për tu tharë. Menjëherë është njoftuar Prokurori ku në prezencë të tij u peshua kjo sasia e bimëve qe ishte në hangarë dhe në banesën e pa banuar ku rezultoi se pesha ishte gjithsej 3052 (tre mijë e pesëdhjetë e dy) kg. Bima ishte në proces tharje gjysmë e thatë. Nga veprimet hetimore të kryera deri tani del se autori i dyshuar i kësaj bime narkotike është shtetasi:  Shpëtim LIKA, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat, i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë. Policia e Shtetit sqaron se operacioni është zhvilluar nga Policia dhe bazuar në informacionin policor të grumbulluar nga vetë Policia. Gjithashtu sqarojmë se s’ka asnjë punonjës policie apo punonjës të administratës të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”.