Eros Grezda e falënderon me një dopietë Xhani De Biazin për grumbullimin e parë me Kombëtaren A.
Pikërisht në ditën kur trajneri i Shqipërisë shpalli listën e lojtarëve që ka thirrur për ndeshjet me Lihtenshtajnin dhe Spanjën, 21-vjeçari shënoi të dy golat e fitores 2-0 të Lokomotivës së Zagrebit në fushën e RNK Splitit. Grezda vulosi suksesin e miqve kryeqytetas brenda gjashtë minutash në pjesën e dytë (59’ dhe 65’).
Gjakovari ngjitet në kuotën e tre golave në tetë ndeshje të luajtura këtë sezon, ndërsa Lokomotiva katapultohet në vendin e pestë me 11 pikë në po kaq javë.
Për miqtë ishte në fushë edhe Amir Rrahmani, ndërsa në kampin vendas luajti 90 minuta Elis Bakaj, i cili nuk mundi të bënte dot gjë për të shmangur disfatën.