Hungaria do të mbajë të dielën një referendum, ku do të votohet kundër pranimit të refugjatëve në rast se Bashkimi Europian vendos të zbatojë ndarjen e tyre në përqindje. Në shumë vende refugjatët presin udhëtimin drejt Europës dhe lëvizjet janë të vogla, megjithatë Budapesti dëshiron të sigurohet se kjo nuk do të ndodh në asnjë mënyre. Hungaria është duke ndërtuar një gardh të dyfishtë për të ruajtur kufirin. Gardhi që mbron Europën nga refugjatët.
Kampi i improvizuar dhe refugjatët shpresojnë se Hungaria do ta hapë zemrën dhe portën me gjemba. Një familje afgane, shtëpinë e re e kanë buzë gardhit prej ditësh. Fëmijët improvizojnë jetën dhe presin. Të rriturit shpresojnë.
Një afgan bashkë me familjen 12 anëtarëshe presin t’u vijë radha pasi kufiri hapet një herë në ditë dhe 15 veta kanë të drejt të shkojnë në territorin e Bashkimit Europian. Shumica prej tyre, të vetëdijshëm nga pritja e tmerrshme në Hungari, tani nuk thonë më se duan të shkojnë në Gjermani pasi porta mund të ngelet nën dry.
“Kam ardhur këtu me familjen dhe dua të shkoj në Hungari të studioj dhe të integrohem. Në Afganistan të rinjtë vdesin dhe unë nuk dua një fat të tillë”, shprehet njëri prej tyre.
Kuzhina të improvizuara e pa kushte, në ndihmë u vinë organizatat. Mbi 7000 refugjat presin në Serbi në rrugën e mbyllur ballkanike të paktën zyrtarisht.
Andej gardhit qyteza Ashotallom. Vendi ku dikur vërshonin refugjatët tashmë ka paqen e tij. Fushata për referendum është gjithandej. Ky ka qenë mesazhi mikpritës i kryetarit të këtij vendi. Krahu djathtist ka arritur ngritjen e një gardhi me tela.
Pavarësisht se refugjatë nuk ka pasur, hungarezët janë duke ngritur edhe një gardh tjetër dhe një rrugë në mes. Gjuetarët e kufirit do të rrinë gati. Në bashki thonë se fjala është për emigrant dhe jo refugjatë. Ata nuk mund ta pranojnë gjithë botën.
“Kemi refugjate nga Afrika, Lindja e Mesme e Bangladeshi dhe vende te tjera qe nuk behet luftë. Por, të gjithë këta kanë kaluar nëpër vende të sigurta dhe është dashur të ndalojnë në vendin e parë. Nuk e kuptoj pse kanë arritur në kufirin e Hungarisë me Serbinë”, shprehet Laszlo Torockay, Kryetar i Ashotallom, Hungari.
Ballkani, një hartë shumëngjyrëshe e refugjatëve të ngujuar në vende të ndryshme. Një pjesë e tyre kthimin nuk e shohin si rrugë. Presin hapjen e portës së hekurt pasi ziles I kanë rënë prej kohësh.
/ Top Channel