Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta inspekton punimet për rikualifikimin urban të Bashkisë së Skraparit. Viziton edhe panairin e produkteve ushqimore

0
222

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ishte sot në qytetin e Çorovodës ku inspektoi punimet për rikualifikimin urban të Bashkisë, një investim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve si dhe i “Fondacionit Besa”.

14566382_1301305209882734_3350859469409190015_o 14425369_1301305756549346_1189107495709046464_o 14445204_1301305636549358_8741990959915802933_o 14480501_1301305689882686_179325101642587713_o 14480609_1301305156549406_8596682392806438317_o 14525137_1301305569882698_3142386517945748182_o 14556763_1301305389882716_4685843186953871653_o

Në këtë vizitë, z. Meta shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu, Drejtori i Fondit “Besa” z. Bajram Muça, Drejtori i Përgjithshëm i Projektit TAP, z. Ian Bradshaw si dhe deputetë të Qarkut të Beratit.

Z. Meta mori pjesë dhe në përurimin e një ure dhe në rikonstruksionin e disa rrugëve të ndërtuara falë projektit TAP të cilat do të rrisin më tej komunikimin dhe do t’u vijë në ndihmë qytetarëve të kësaj zone.

Më pas, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në panairin e produkteve ushqimore të Skraparit, të kthyer tashmë në një event tradicional.

Në fjalën e shkurtër përshëndetëse të mbajtur gjatë ceremonisë hapëse të këtij aktiviteti, z. Ilir Meta shprehu bindjen se me politikat e institucioneve shtetërore dhe të punës së vetë fermerëve, produktet e zonës do të arrijnë që të sigurojnë tregje të reja.
“Shpresojmë që këto produkte të gjejnë sa më shumë treg kudo jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Jam i bindur që me politikat që ne po ndjekim, por edhe me punën tuaj, edhe me mbështetjen e Bashkisë së Skraparit, vitin tjetër panairi do të jetë akoma më i suksesshëm dhe do të demostrojë një rritje të mëtejshme të prodhimit tradicional të produkteve bio të Skraparit”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u ndal dhe në projektin TAP, zbatimi i të cilit ka dhënë një impakt tepër të madh edhe në zonat ku ai kalon, siç është Skrapari.
“Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n e deri më sot, përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga arritjet më të mëdha historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike të Europës. Përfshirja në projektin TAP e vendos Shqipërinë si një qendër shumë e rëndësishme e këtyre lidhjeve të cilat kanë impakte kontinentale. E theksoj këtë sepse projekti TAP mund të realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë. Është bërë një përpjekje e madhe që Shqipëria të përfshihej në këtë projekt. Tani që sapo ka filluar, kur ende duhet një punë e madhe për ta përfunduar këtë projekt, po e kuptoni se ky projekt po ndihmon për të ndryshuar për mirë edhe jetën e komunitetit tuaj këtu dhe kudo ku TAP-i po kalon nëpër Shqipëri”, tha z. Meta.

Kryetari Meta theksoi se falë këtij projekti po realizohen shumë investime për të cilat çdo qeveri do ta kishte të vështirë që t’i bënte në Skrapar pasi nuk është e lehtë të bësh investime publike sidomos në zona të thella dhe të vështira ku kosto e këtyre investime është mjaft e lartë dhe ku numri i banorëve është relativisht i ulët.
“Unë pata kënaqësinë sot, bashkë me përfaqësuesit e nderuar të TAP-it, me kryetarin e bashkisë dhe me shumë miq të tjerë që na kanë nderuar, të inaugurojmë rrugën pranë Spitalit, urën pranë spitalit, të shohim shumë projekte të tjera të cilat po ndihmojnë në transformimin Çorovodës dhe të gjithë Skraparit. TAP do të ndihmojë këto projekte edhe në të gjithë bashkitë dhe rrethet e tjera ku po kalon dhe do të kalojë nëpër Shqipëri”, tha z. Meta.
Gjatë fjalës së tij, z. Ilir Meta vlerësoi angazhimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të Kryetarit të Bashkisë z. Nesim Spahiu për implementimin e projekteve të ndryshme me qëllim rritjen e mirëqenies.
“Nesimi është një bekim tjetër që i ka dhënë Çorovodës dhe Skraparit. E vërteta është që pa Nesim Spahiun ne nuk do të kishim bërë dot shumë projekte. Ne nuk do të kishim ndjekur shumë çështje të rëndësishme. Ndaj unë i uroj atij dhe gjithë stafit të vazhdojnë me këtë përkushtim dhe me këtë dashuri dhe jam i bindur se vitin tjetër do të jetë akoma një mundësi e shkëlqyer për të parë se sa shpejt mund të bëhen ndryshimet, qoftë edhe në një vit të vetëm. Unë kisha disa muaj pa ardhur në Skrapar dhe e ndjeva se ndryshimet këtu kanë një ritëm të mrekullueshëm dhe do të donim që ky ritëm ndryshimesh të jetë kudo në të gjithë Shqipërinë dhe të ndjehet nga të gjithë”, tha z. Meta.

Duke vlerësuar projektin TAP si një mundësi e shkëlqyer për rritjen e punësimit dhe të ekonomisë, z. Meta garantoi se projekte të tjera të rëndësishme kanë filluar për ta kthyer Skraparin edhe në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët.
“Jemi shumë të kënaqur që është rritur mundësia për t’u punësuar dhe natyrisht që në këto vite kjo mundësi e shkëlqyer në radhë të parë i dedikohet projekteve mbështetëse për realizimin e TAP-it, por ndërkohë ne duhet të mendojmë edhe për aktivitete të tjera që do të garantojnë një punësim afatgjatë këtu në Skrapar. Njëkohësisht projekte të rëndësishme për zhvillimin e turizmit kanë filluar dhe ne vizituam disa prej tyre të cilat do ta kthejnë Skraparin gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të dashura për të gjithë turistët vendas dhe të huaj. Ndaj uroj të gjithë fermerët e Skraparit të cilët kanë kontribuar për realizimin e këtij panairi dhe të cilët i bëjnë marketingun më të mirë Skraparit kudo me prodhimet e tyre cilësore”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu vlerësoi produktet bujqësore të zonës dhe garantoi se investimet e kryera do të përmirësojnë edhe më tej jetën e qytetarëve.
“Prodhimet bujqësore të Skraparit prej kohësh kanë krijuar identitetin e tyre si produkte origjinale bio, gjë që ka mundësuar që kërkesa ndaj këtyre produkteve të shtohet. Skrapari nga një zonë e largët, periferike, me mungesë investimesh, me një nivel papunësie të lartë, brenda një harku kohor të shkurtër është shndërruar në një kantier ndërtimesh ku po implementohen projekte me rëndësi strategjike si projekti TAP, por dhe projekte në fushën e turizmit dhe në infrastrukturë. Të gjitha këto projekte si dhe investimet e kryera nga biznesi privat kanë patur impaktin e tyre pozitiv në zhvillimin e zonës, uljen e ndjeshme të papunësisë dhe rritjen e ndjeshme të mirëqenies”, tha z. Spahiu.

Drejtori i Fondacionit “Besa”, z. Bajram Muça shprehu kënaqësinë për financimin e disa projekteve në këtë zonë, ndërsa u kërkoi prodhuesve që të orientohen drejt atyre prodhimeve që kërkohen dhe nga tregjet e huaja duke rritur në këtë mënyrë edhe të ardhurat.
“Është kënaqësi në fakt që të financojmë disa projekte në Çorovodë. Është kënaqësi që marr pjesë në këtë panair ku bashkohen prodhues dhe blerës, dhe pse jo edhe grumbullues. Zona e Skraparit ka traditë me prodhimet bujqësore dhe blegtoriale, traditë që duhet ta mbajmë, ta zhvillojmë, por edhe të shikojmë mundësinë për prodhimet bashkëkohore, të cilat duhet të gjejnë jo vetëm tregun vendas, por edhe të huaj. Mirëqenia rritet edhe më shumë duke i bashkuar prodhuesit, duke prodhuar të gjitha ato prodhime të cilat sot kërkohen nga tregjet e huaja në funksion të rritjes së mirëqenies”, tha z. Muça.

Drejtori i Përgjithshëm i Projektit TAP, z. Ian Bradshaw tha se nga rinovimi i infrastrukturës si pasojë e projektit TAP, përfitojnë më shumë se 200 mijë persona.
“Ndërtimi i një ure bashkon dy anë dhe inaugurimi i sotëm i urës së Çorovodës është një shembull i shkëlqyer i dy anëve që po bashkohen. Bashkëpunimi i fortë, i afërt dhe i vazhdueshëm i TAP-it me autoritet shqiptare është një pjesë për të cilën ne jemi jashtëzakonisht shumë mirënjohës. E shfrytëzoj këtë rast për të falenderuar palët shqiptare të interesit që kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të identifikuar ato projekte strategjike për të cilat do të përfitojnë më së shumti komuniteti vendase. Ura e Çorovodës është një prej këtyre projekteve strategjike. Tani më shumë se 94 për qind e infrastrukturës është rinovuar. Infrastrukturat e rinovuara do të jenë në dobi të më shumë se 200 mijë personave”, tha z. Ian Bradshaw.