Gjykata e Lezhës ditën e djeshme ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për përgjegjësin e aksidentit që ndodhi 8 ditë më parë në aksin Shkodër-Lezhë, në kryqëzimin e Blinishtit. Kështu lidhur me këtë ngjarje, sipas prokurorisë së Lezhës bëhet me dije se drejtuesi i mjetit tip Audi me targë AA374AR Nikoll Ndreca udhëtonte me mbi 150 km në orë kur ka përplasur fatalisht automjetin tjetër tip “Benz” ku ndodheshin 4 persona. Për shkak të përplasjes së fortë, humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes 55-vjeçarja F.Ndregjoni, ndërsa ndërroi jetë rrugës për në spital edhe një grua tjetër. Po kështu është plagosur rëndë edhe drejtuesi i Benzit. Ndreca mësohet se ka qenë pa patentë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aksidentit. Ndërkohë që dyshohet se ai drejtonte makinën nën efektin e lëndëve narkotike. Ndreca nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ka qenë dy herë i dënuar më parë. Ekspertiza e plotë pritet që të japë detaje të tjera nga aksidenti tragjik në Lezhë dhe të zbardhë rrethanat dhe shkaqet.