Shpallet në kërkim ish-kreu i PD-së në fshatin Rukaj, rreth 5 vite më parë, Shpëtim Lika. Kamionçina ndodhej në afërsi të magazinës së drogës
Besar Bajraktaraj
Detaje të reja janë zbuluar ditën e djeshme lidhur me laboratorin e drogës të zbuluar dy ditë më parë në zonën e Matit. Disa orë pas zbulimit të tonelatave të drogës policia ndaloi edhe një kamionçinë pak metra larg ndërtesës që përdorej për tharjen e drogës, mes fshatit Rukaj dhe Prell. Ditën e djeshme policia ka pikasur dhe kamionçinën me targë TR 1344 U, pas dyshimeve se përdorej për transportin e drogës. Sipas policisë, ky automjet me targë TR 1344 U i përket Firmës AREKLA SH. P. K. Ndërsa drejtuesi i mjetit ka arritur t’i shpëtojë policisë, duke u shpallur në kërkim. Lidhur më këtë ngjarje policia ditën e djeshme njoftoi: “Në lidhje me informacionin e dhënë me datë 29. 09. 2016, për operacionin policor anticannabis në territorin e rrethit Mat, ku policia për 3 ditë asgjësoi 12.966 bimë narkotike, dhe u sekuestruan 3052 kg bimë gjysmë e tharë në një hangar në fshatin Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat ju informojmë se: Vazhdon puna në mënyrë intensive nga ana e policisë Matit, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale për të çuar para drejtësisë personat e implikuar në këtë ngjarje. Në vijim të veprimeve në afërsi të vendit ku u gjet bima narkotike është gjetur një automjet i braktisur tip kamionçinë me targë TR 1344 U. Ky automjet është sekuestruar nga ana jonë në cilësinë e provës materiale për veprime të mëtejshme. Nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se ky automjet i përket Firmës AREKLA SH. P. K. Nga ana jonë vazhdon puna në mënyrë intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Mat, për të përcaktuar se kush e ka përdorur këtë automjet dhe a ka shërbyer ky automjet në këtë aktivitet kriminal.
Magazina me një sipërfaqe prej rreth 400 metra ishte ndërtuar kohët e fundit buzë një përroi.
Lidhur me këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim pronarin Shpëtim Lika, ish-kryetar i PD në fshatin Rukaj, rreth 5 vite më parë. Gjatë këtij aksioni u asgjësuan edhe 13 mijë rrënjë kanabis të mbjella në disa parcela në fshatrat përreth magazinës. Gjithashtu në kuadër të hetimeve për këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike në hetime janë përfshirë dhe persona të tjerë, për arsye se gjithë kjo sasi e madhe droge nuk mund të thahej dhe menaxhohej nga një person i vetëm. Dyshohet për një grup të strukturuar të kultivimit dhë të trafikimit të lëndëve narkotike. Lidhur me këtë fillimisht u tha se ishin shpallur në kërkim dhe punonjës të policisë apo dhe të administratës lokale, por dy ditë më parë, kur u finalizua dhe operacioni anti kanabis Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mohoi që të ishin shpallur në kërkim punonjës policie apo të administratës lokale.