Dhunë te të rinjtë, futbollistët e Kukësit përfundojnë në spital (Foto)

0
240

Një ngjarje tepër e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Laç në futbollin e të rinjve.

Vendasit e moshave U-17 dhe U-19 u përballën me kundërshtarët e tyre të Kukësit, por takimet janë shoqëruar nga një dhunë e paprecedent, e cila ka bërë që të dërgohen në spital dhe 2 futbollistë të Kukësit U-19, Uka dhe Kashanjeva. Mbi këtë ngjarje të shëmtuar që nuk ka asnjë lidhje me futbollin, ekipi i Kukësit ka nxjerrë një reagim të ashpër në faqen e tyre në internet.

Reagimi i Kukësit

“Ekipet e Akademisë së Kukësit kanë udhëtuar ditën e sotme për të zhvilluar ndeshjet e tyre në qytetin e Laçit, por vetëm me futboll nuk janë përballuar. Ekipi U-17 dhe U-19 janë terrorizuar me një atmosferë dhune që nga zbritja nga autobusi e deri në largim. Lojtarët e moshave të Kukësit kanë rënë pre e kësaj dhune barbare dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak. Nga goditjet e marra kanë përfunduar në spital lojtari Uka dhe Kashanjeva i U-19. Për futboll nuk flitet dhe rezultati kalon në plan të dytë, pasi vetëm dhuna ka qenë prezente jashtë fushe dhe brenda e saj. Kjo e lejuar edhe nga arbitri i ndeshjes. Ai pasi ka nxjerrë dy lojtarë të Laçit me karton të kuq, i ka rifutur në lojë, pasi nga frika dhe presioni i shënoi si të verdhë. Klubi F.K. Kukësit do e ndjekë deri në fund këtë çështje dhe do të përgatisë të gjithë dokumentacionin e duhur për ta dorëzuar në FSHF. Kjo sjellje është prishje e qartë e garës dhe si gjithmonë ndodh në Laç. Duke parë situata të tilla, kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme dhe dënimeve shembullore për protagonistët e ngjarjeve. Për ne nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti i lojtarëve tanë, prandaj ose të merren masat e duhura, ose të ndërpritet gara, pasi nuk po flasim më për futboll.”/panoramasport